Ne rrjet

Facebook do të reduktojë përmbajtjet politike

Facebook njoftoi se do të reduktojë ndjeshëm materialet me përmbajtje politike që hidhen në platformë, si reagim pas presionit që iu bë themeluesve të rrjeteve sociale për rolin që patën këto platforma në trazirat e 6 janarit në “Capitol Hill”.

Mark Zuckerberg foli gjatë prezantimit të bilanceve financiare të tremujorit të fundit të 2020-ës, ku deklaroi se kishte një numër të madh grupesh dhe faqesh të cilat nuk i pëlqente që ishin pjesë e rrjetit social, megjithëse ato nuk bien ndesh me politikat dhe termat e përdorimit të kompanisë.

Mes bllokimin total të këtyre grupeve dhe faqeve dhe lejimit të tyre, Zuckerberg tha se po mendohet një e mesme.

“Megjithëse grupet dhe diskutimet politike do të vazhdojnë të jenë pjesë e platformës tonë, një prej ankesave kryesore të përdoruesve në këtë moment është se nuk duan që politika, apo sherri i nxitur prej saj të ndërhyjnë gjatë përdorimit të shërbimeve tona”, tha Zuckerberg.

Çfarë do të thotë kjo? Ekspertët thonë se njëra rrugë përmes të cilës mund të ndërhyhet është ndryshimi i algoritmit të shfaqjes së lajmeve dhe reduktimi në minimum i efekteve (Like, share, comments), që mund të kenë lajmet me përmbajtje politike.

Rruga tjetër që mund të ndiqet është ajo e kategorizimit të postimeve. Në këtë rast, ndërhyrja tek mënyra sesi funksionon Facebook do të ishte më e thellë. Sipas kësaj zgjidhjeje, Facebook mund të shtojë mundësinë që përdoruesit të zgjedhin kategorinë e postimit të tyre, nëse ai është politik, ekonomik, social, kulturor apo tjetër.

Këto janë ndryshime, që sipas ekspertëve mund të kërkojnë me muaj kohë, ndërsa si masë paraprake kompania tha se ka ndërmarrë aktualisht heqjen e rekomandimit për përdoruesit për t’u bërë pjesë e një grupi politik.

Pas trazirave të 6 janarit në Capitol Hill, Facebook dhe rrjete të tjera sociale u vunë në qendër të kritikave të politikanëve që i fajësuan për dështim në parandalimin e gjuhës së urrjetjes dhe racizmit.

“Mendoj se këto evente janë organizuar më së shumti nëpër platforma që nuk e kanë aftësinë, standardet dhe transparencën tonë për të ndaluar gjuhën e urrejtjes”, deklaronte më 15 janar drejtuesja ekzekutive e Facebook, Sharyl Sandberg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë