Një ditë më parë fotoja e një mësuesi nga fshati Velçani i Pogradecit që mbante shkarpa në dorë për të ndezur zjarrin në klasën ku jepte mësim, ngriti më këmbë medien, por “dogji” edhe bashkinë Pogradec, e cila e ka përjetuar si akuzë për mosgarantimin e ngrohjes në shkollat që ka nën mbikqyrje.
Por më herët, pat reaguar vetë profesor Maliq Tora, si garanci për të pastruar fytyrën e bashkisë Pogradec nga bloza e zjarrit të shkarpave, se ajo nuk e ka neglizhuar detyrën në lidhje me sigurimin e kushteve minimale që nxënësit duhet të kenë për të vijuar normalisht mësimin.
Me të njëjtën foto, të cilën profesori nuk e mohon dot, por mbetet veç ta interpretojë, thotë se “Degat, (karthiet) i kam marr dhe i marr, jo për të bërë zjarrin, por për ta ndezur kollaj atë. Shkolla jonë e mesme e bashkuar Velçan është furnizuar me dru dhe nuk ka mungesë ngrohjeje.”.
Kurse bashkia Pogradec ka sqaruar se “ keqpërdorimi nga media dhe portalet i një statusi të profesorit të nderuar z. Maliq Torra, nuk ka asnjë lidhje me mungesën e ngrohjes në shkollën e Velçanit. Bashkia Pogradec ka punuar fort që të bëjë të mundur shpërndarjen në kohë të lëndës drusore për ngrohje në shkollat e fshatrave dhe në asnjë shkollë nuk ka mungesë të lëndës drusore. Do të ishte e pafalshme për ne nëse nuk do të mund të siguronim edhe kushtet më minimale për arsimimin e brezave. Kjo është një nga parimet tona bazë, që përtej investimeve madhore që Mokra ka nevojë dhe që do të realizohen në vazhdim, të sigurojmë kushtet bazë për proçesin mësimor.”
Në fakt, problematika me infrastrukturën në shkolla, veçanërisht në ato parauniversitare, nuk është e re.
Mjafton të kërkosh në arkivat e medieve në internet dhe të shfaqen histori nga më rrënqethëset ku të mitur për të shkuar në shkollë në dëborë e zheg në zonat e thella u duhet të kaplojnë male, apo të sajojnë mjete rrethanore për të përshkuar lumenj e përrenj për shkak të mungesës së rrugëve, ka edhe dëshmi me foto e video të nxënësve që në kurriz mbajnë çantën dhe nën sqetull dru për tu ngrohur në klasë.
Nuk janë shumë të vjetra as pamjet e shkollave ku në dritaret me xhama të thyer qenë vendosur plastmasë.
Dhe këto pamje nuk i përkasin veç periferisë e zonave të thella, por mungesë ngrohjeje kanë edhe shkollat e kryeqytetit.
Nëse për një moment harron që jemi në një vit elektoral dhe në prag fushate, për një çast habitesh me vrarjen e ndërgjegjes së një bashkie se një ditë një profesor i devotshëm dhe zemërmirë në pragpensioni, ka demonstruar përmes një fotoje veprimtarinë e tij të çdo dite se kur shkon në shkollë të japë mësim, merr edhe një tufë shkarpa nën sqetull për të ndezur më kollaj zjarrin.
Në këtë situatë, drita që ndriçon panoramën të zbardh atë mjerimin karakterial; marrëdhënien simbiotike mes interesit, frikës dhe mirësisë…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.