Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se deri më tani janë vaksinuar 447 mjekë, infermierë e epidemiologë dhe do të vijojë me vaksinimin e kombinuar për të moshuarit në shtëpitë e kujdesit dhe të moshuarit mbi 75-vjeç.
“Sot po vaksinohen 42 mjekë, infermierë të pavionit Covid të Pediatrisë dhe të spitaleve COVID. Përgjatë gjithë javës së shkuar, ku ne kemi filluar planin tonë të vaksinimit me vaksinimin e mjekëve, infermierëve dhe një pjese të epidemiologëve të Tiranës, Durrësit, Krujës dhe disa qyteteve përreth. Janë vaksinuar saktësisht 447 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.
Manastirliu deklaroi gjithashtu nga Qendra e Vaksinimit në Stadiumin “Air Albania” se përveç kontratës me Pfizer, pritet këtë javë një përgjigje nga COVAX për kohën e lëvrimit të vaksinave të para.
Më herët, në konferencën e mbajtur nga kryeministri Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu kanë shpjeguar se në javën e tretë të janarit do të vijnë rreth 10.750 doza të vaksinës, pas marrëveshjes së arritur me kompaninë Pfizer, ndërkaq 30 mijë doza të vaksinës do të vijnë në shkurt dhe në vazhdim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.