Ferrari si Real Madridi: ka të njëjtën joshje. E thotë Karlos Sainz, piloti spanjoll i skuderisë italiane, duke shpjeguar se kur të telefonojnë nga Ferrari, nuk ke asnjë dyshim për vendimin. “Me gjithë respektin dhe admirimin për MekLarenin, skuadra e dytë e F.1, – thotë për ‘As’ piloti spanjoll, – kur Ferrari troket në derën tënde, nuk mund të thuash ‘Jo’ kurrë”.
Për të ilustruar më mirë situatën, Sainz bën një paralelizëm me futbollin. “Ferrari është Real Madridi i Formulës 1. Është një mënyrë të thëni, por mund të them gjithashtu se MekLaren është Barcelona, një skuadër shumë e mirë. Të dyja janë duke u përpjekur për të rivalizuar me Mercedesin. Janë dy skuadrat më të mira të historisë dhe kur kalon nga njëra te tjetra, do të thotë se ke bërë diçka të mirë në F.1.

Kur erdhi mundësia për të firmosur kontratën me skuderinë nga Maranelo, nuk hezitova. Më pëlqejnë shumë njerëzit te Ferrari, Matia Binoto dhe të gjithë ata që shoh”, – ka shtuar më tej piloti spanjoll. Sfida e tij nuk është aspak e lehtë, po të marrim në konsideratë momentin e vështirë të skuderisë italiane, si dhe faktin që Fetel dhe Alonso u larguan nga Ferrari pa fituar asgjë. “Po, e di çfarë u ka ndodhur pilotëve të tjerë, – shprehet Sainz. – Çdo sezon të 10 viteve të fundit, kur kanë dominuar Red Bull-i dhe Mercedesi, janë 19 pilotë që kanë mbetur pa fituar asgjë”.
Sainz shpreson të japë një dorë në rilindjen e skuderisë nga Maranelo. “Nuk e di çfarë do të ndodhë konkretisht, të shohim. Dua të kontribuoj për Ferrarin me njohuritë që kam dhe mënyrën time të punës. Një skuadër është e përbërë nga 1000 persona, ndërsa piloti duhet të vërë në dispozicion talentin e tij. Që makina të jetë e shpejtë, nuk varet vetëm nga piloti”, – ka përfunduar Sainz.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




