Politike

Përmbytjet, Meta: Shteti të ngrihet në këmbë për të garantuar sigurinë e jetës

Presidenti Ilir Meta kërkon nga qeveria që të marrë masat për të garantuar sigurinë e jetës dhe të pronës pas përmbytjeve të shumta që kanë përfshirë vendin nga jugu në veri.

Ai akuzon për neglizhencë dhe i kërkon prokurorisë që të jetë e vëmendshme për çdo raste të shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë.

Qytetarët meritojnë të informohen me transparencë dhe këtij detyrimi kushtetues nuk mund t’i shmanget askush!

“Sipas të dhënave nga terreni, me qindra hektarë tokë rezultojnë të përmbytura në Qarqet Tiranë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Fier, Gjirokastër e Sarandë, dhe vetëm në Durrës, raportohen nga autoritetet mbi 410 hektar tokë nën ujë. Probleme serioze mësohet të ketë veçanërisht në Shkodër, Lezhë, por dhe në Vlorë, ku për orë të tëra disa segmente të rëndësishme rrugore, edhe lagje brenda qyteteve, kanë qenë nën pushtetin e ujit, duke nxjerrë në pah abuzimet korruptive, të reflektuara në cilësinë e dobët të investimeve, kryesisht në rrjetet kulluese. Problematika të mëdha janë konstatuar lidhur me mospastrimin e kanaleve kulluese të Ujrave të Larta, si dhe mosvënia në punë me kapacitet të plotë, të të gjithë hidrovorëve. Në akset kryesore rrugore, raportohen rrëshqitje dherash, ndërkohë që prezenca e kompanive me detyrime kontraktore me Autoritetin Rrugor Shqiptar, lë për të dëshiruar”, shkruan Meta.

Meta është treguar i ashpër ne reagimin e tij, duke thënë që Prokuroria duhet të jetë vigjilente për funksionarët që shpërdorojnë detyrën në raste të tilla, e ndërkohë u bën thirrje autoritetet përkatëse që të marrin menjëherë masat.

Për kreun e shtetit, ende asnjë zyrtar i lartë shtetëror nuk ka komunikuar zyrtarisht me popullatën për t’a informuar mbi masat e marra për përballimin e kësaj situate të vështirë për shkak të reshjeve të shumta të shiut që kanë pushtuar vendin orëve të fundit. 

“U bëj thirrje Prefektëve dhe Kryetarëve të Bashkive në zonat me rrezik të shtuar, të mbledhin menjëherë Komisionet e Mbrojtjes Civile dhe të angazhojnë në terren të gjitha strukturat operacionale për minimizimin e pasojave të përmbytjeve. Autoriteti Rrugor Shqiptar, në këtë situatë, duhet të jetë më kërkues ndaj kompanive që kanë detyrime për mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e akseve rrugore. Të gjitha strukturave shtetërore të ngarkuara me përgjegjësi për menaxhimin e situatës duhet të veprojnë pa zvarritje. I kërkoj publikisht Prokurorisë të jetë e vëmendshme për çdo raste të shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë. Jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, duke patur në konsideratë edhe pasojat e rënda të pandemisë COVID-19, duhet të jenë prioritet absolut”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë