Gara e parë e sezonit të ri në Formula 1 është në rrezik për shkak të COVID-19. Mediat lokale në Australi kanë ngritur shqetësimin se Çmimi i Madh i Australisë mund të shtyhet, pas shtrëngimit të masave që ka marrë qeveria për shkak të përhapjes së COVID-19. Përveç garës së parë sezonale, që zhvillohet më 21 mars në Australi, në dyshim është vënë edhe gara e tretë, ajo që zhvillohet më 11 prill në Kinë. Sipas mediave, koronavirus dhe masat që janë marrë nga Kina kanë vënë në dilemë këtë garë, e cila, ashtu sikurse vjet, mund të anulohet.
Melburn pritet që të futet në karantinë për një kohë të pacaktuar dhe kjo krijon pasiguri për zhvillimin e garës së parashikuar për t’u zhvilluar në muajin mars. Vitin e shkuar gara për çmimin e madh të Melburn u anulua vetëm pak orë para nisjes së provave të para, por diçka e tillë rrezikohet dhe këtë edicion. Për momentin, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga ana e organizatorëve të garës së Shanghai. Ndërkohë, Formula 1 ka gati një “plan B” në rast se do të anulohet një apo dy gara. Bëhet fjalë për të ruajtur këto data dhe të organizohen dy gara në pistën e Bahrein, ku më 28 mars do të zhvillohet gara e dytë sezonale.

Një variant tjetër është zhvillimi i garave të anuluara në pistat e Imola (Itali) dhe Portimao (Portugali), ashtu sikurse ndodhi edhe vitin e kaluar. Formula 1 është ende duke ndjekur situatën që do të paraqitet muajt e ardhshëm nga pandemia Covid-19.
Në vitin 2020, organizatorët u detyruan që ta nisnin sezonin në muajin korrik dhe të reduktonin numrin e garave, për të shpëtuar sezonin. Një problematikë e ngjashme mund t’i ndjekë edhe këtë vit, por gjithçka pritet që të mirë-mendohet në muajin janar, për të evituar çdo surprizë të pakëndshme gjatë rrugës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




