Për ambasadorët, e hëna ishte një ditë e mirë për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Pas dekretit të Presidentit, Ilir Meta, për emërimin e Sonila Bejtjas në Gjykatën Kushtetuese kanë reaguar Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe më pas edhe ai i BE-së, Luigi Soreca.
“Faleminderit Presidentit Ilir Meta për dekretimin e kësaj mbrëmje të gjyqtarit të 7-të të Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar së bashku me urgjencë – në përgjigje të drejtpërdrejtë të opinionit të Venecias, kushtit të BE dhe kërkesës së popullit shqiptar – Presidenca, Parlamenti dhe KED, kanë bërë Gjykatën Kushtetuese funksionale para datës 31 dhjetor”- shkruan ambasadorja amerikane në Tiranë.
Ajo nënvizon se nuk ka pushim deri sa të plotësohen të gjitha vendet.
“Presidenti, Parlamenti dhe KED meritojnë vlerësim për arritjen e kuorumit plus 1, por nuk mund të ketë pushim derisa të plotësohen të 9 vendet. Puna duhet të vazhdojë në vitin e ri. Ne i nxisim kandidatët e kualifikuar t’i përgjigjen thirrjes për këtë detyrë, në mënyrë që shqiptarët të kenë drejtësi të vërtetë, siç i përshtatet një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për në BE”.
Edhe Ambasadori i BE-së ka përshëndetur firmën e hedhur nga Meta.
“Sot Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka dekretuar Znj.Sonila Bejtja si anëtare e 7-të e Gjykatës Kushtetuese. Ne e përgëzojmë Presidentin dhe KED për plotësimin e këtij vendi vakant. Ky vendim i rëndësishëm përforcon më tej funksionalitetin e Gjykatës”, shkruan Soreca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




