Zhaklina Peto ka paditur për herë të tretë KED në Gjykatën e Apelit Administrativ, duke pretenduar se ndryshe nga vendimi i dhënë ndaj saj, ajo nuk ka dhënë dorëheqjen nga gara për Kushtetuesen dhe për pasojë kërkon detyrimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që të marrë sërish në vlerësim kandidaturën e saj.
KED e futi në shqyrtim emrin e saj të mërkurën e javës se kaluar pas vendimit të Apelit Administrativ për ta rikthyer në garë, por në njoftimin për shtyp të këtij Këshilli pati një vendim të diskutueshëm.
Sipas KED, ndaj Zhaklina Petos kishte përfunduar procedura e verifikimit, vlerësimit pasi ajo kishte dhënë dorëheqjen nga gara.
Vetë Peto nuk ishte paraqitur në mbledhje, duke dorëzuar një raport, për shkak se ajo ishte infektuar me Covid-19.
Pas vendimit të KED, Peto tha se ishte e befasuar duke argumentuar se ajo nuk kishte paraqitur zyrtarisht asnjë dorëheqje.
Ecurinë e gjithë këtë procesi, Peto e ka argumentuar në padinë e dërguar në gjykatë, ndërsa nënvizon se nga ana e KED ka pasur disa shkelje si: “Mohimi i të drejtës për një proces të rregullt ligjor; “mohimi i të drejtës për tu dëgjuar; mohimi i të drejtës për tu mbrojtur; mosnjoftimi në mënyrë të qëllimshme rreth rezultateve konkrete të marra nga institucionet shtetërore; hartimi i një relacioni në keq interpretim të të dhënave të marra nga institucionet shtetërore apo mospasqyrim me dashje e dokumentacionit të nxjerrë nga institucionet shtetërore në favorin e saj; mungesë e arsyetimit të vendimit”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




