Një meksikan te Red Bull-i. Skuadra ka bërë të ditur afrimin e Serxho Perezit për sezonin e ardhshëm të F.1. Disa javë më parë Perez arriti në Sakhir fitoren e parë në një garë të Formula 1. Ai do të formojë dyshen e pilotëve titullarë bashkë me holandezin Maks Vershtapen. Marrëveshja mes palëve është bërë fillimisht vetëm për vitin 2021.
Perez largohet nga Racing Point, që do të ndryshojë emrin në Aston Martin dhe në vend të tij ka firmosur me Sebastian Fetel. Në njoftimim zyrtar të Red Bull-it thuhet qartë se fitorja në Çmimin e Madh të Sakhirit e ka bërë Perezin favorit për të kaluar te kjo skuderi.

Piloti 30-vjeçar e ka mbyllur Botërorin 2020 në vend të 4-t, pas Maks Vershtapen. Ai garon në F.1 që prej vitit 2011 dhe numëron 191 gara të zhvilluara me Sauber, MekLaren, Force India e Racing Point. Meksikani ka dalë nga akademia e Ferrarit dhe është mbështetur në karrierë nga biznesmeni i njohur Karlos Slim. Perez ka arritur të ngjitet në pod 10 herë.
Serxho Perez ka dhënë edhe deklaratën e parë si pilot i Red Bull-it: “I jam shumë mirënjohës Red Bull-it që më ka dhënë mundësinë të garoj me këtë makinë në vitin 2021, – ka thënë meksikani për rrjetet sociale të skuderisë së tij të re. – Mundësia për të qenë pjesë e një skuderie që lufton për titullin kampion është ajo që shpresoja që kur jam futur në F.1. Do të jetë një moment krenarie të ngjitem në pod me ngjyrat e Red Bull-it. Kjo skuadër ka mentalitet fituesi dhe jam këtu për të bërë më të mirën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




