Katër ditë pas humbjes së djalit, familja e Klodian Rashës ka bërë thirrje për qetësi me anë të një letre publike duke kërkuar që dhimbja e tyre të mos thellohet më tej. Në letrën që publikoi Top Channel, anëtarët e familjes Rasha shkruajnë se “pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij”.
“Ato që po shohim pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë. Po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme. Djalit tone ia mori jetën arma e një polici. Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera”, thuhet në letër.
Familja Rasha ka një lutje ndaj të gjithë atyre që po protestojnë.
“E drejta duhet të shkojë në vend, në gjykatë dhe ne presim nga shteti të garantojë drejtësinë, jo nga dhuna politike. Politikanët t’i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me lojërat e tyre dhe të mos i hedhin benzinë zjarrit për interesin e tyre. Duam t’i falenderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhimbjen tonë të madhe dhe ua shpërblefshim veç në gëzime. Të shkuara policit të plagosur dhe veç të mira pastë bashkë me prindërit dhe familjen e tij. Ju lutem mos na e shtoni dhimbjen që kemi”, përfundon letra e Familjes Rasha. (TCH)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




