Motosport

Video/ Hamilton një legjendë, kampion bote për herë të 7-të

Ljuis Hemilton është shpallur sot kampion bote i Formulës 1 për herë të shtatë në karrierë, duke barazuar gjermanin Mikael Shumaker. “Është diçka që shkon përtej ëndrrës”, – u shpreh piloti anglez pas triumfit në Stamboll, ku ai ishte fenomenal në administrimin e gomave.

https://twitter.com/F1/status/1327961638243344384?s=20
Festa e Hemilton pas fitores në garën e Turqisë. Gazeta Si, 15 nëntor 2020

Hemilton është tashmë piloti më fitues i Formulës 1, pas suksesit në “Çmimin e Madh” të Turqisë. Ka 7 tituj kampion bote, ashtu si Shumaker, por duhet konsideruar përpara tij, falë 94 fitoreve dhe 97 “pole position”-ene në karrierë. Një arritje e madhe, që pritet të pasurohet në vazhdim. Anglezi donte ta fsetonte që sot titullin kampion dhe ia arriti qëllimit me një magji, me një administrim të jashtëzakonshëm të garës, ku në pistën e lagësht ai bëri 50 xhiro me goma mesatare.

Piloti i Mercedesit e kaloi finishin para Racing Point të Serxho Perez dhe Ferrarit të Sebastian Fetel, i cili me shumë sportivitet shkoi të përgëzonte Hemiltonin, më të madhin e këtij sporti. Ishte një garë “e çmendur”, e kushtëzuar nga shiu që ra para nisjes. Në fazën e parë të garës, dy makinat Racing Point të Stroll dhe Perez dukeshin të pakapshme, pasi makinat e tjera, Ferrari i Fetelit, Red Bull i Vershtapen dhe Hemiltoni, patën vështirësi.

Klasifikimi pas garës së Stambollit. Gazeta Si, 15 nëntor 2020

Më pas erdhi kthesa, ku anglezi arriti të afrohej, të sulmonte dhe të kalonte Perezin. Në pjesën e dytë të garës, sapo mori kryesimin, Hemilton vendosi të vazhdonte më po ato goma deri në fund dhe ato 50 xhiro treguan gjithë madhështinë e tij. Edhe Fetel e mbylli në pod, por rrezikoi ta humbiste pas ndërrimit të dytë të gomave, që kur ai dhe Stroll, dominues për 36 xhiro, nuk e gjetën më ritmin. Garë e mirë edhe për McLaren e Sainz, që zuri vendin e pestë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë