Shendet

Manastirliu: Testi i antigenit falas për qytetarët, realizohet në qendrat shëndetësore

Duke shpjeguar një ditë para hyrjes në fuqi, masat e reja kufizuese, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu shpjegoi edhe mënyrën se si do të bëhen testet e shpejta të antigenit.

Në pyetjen e Gazetës “Si”, Manastirliu tha se gjithçka është miratuar dje nga Komiteti Teknik i Ekspertëve; në formën e një udhëzimi për mënyrën e realizimit të testimit. Do të ketë një strukturë të përcaktuar që në fillimet e këtyre testimeve do të kryejë këtë testim të shpejtë, që do t’u ngarkohet njësive vendore të kujdesit shëndetësor.

“Ne jemi duke shtuar edhe epidemiologët, të cilët në bashkëpunim me mjekët e familjes do të bëjnë vlerësimin e atyre kategorive që do të bëjnë testimin, në testimet e antigenit dhe sigurisht që do të ketë një skemë se si do të veprohet dhe kush do t’i bëjë këto teste. Nuk do të përjashtohet bërja e testit PCR, ndërkohë këto do të jenë teste që kanë disa klastera të përcaktuara se kush do t’i bëjë,” u shpreh Ministrja.

Gjithashtu bëhet me dije se testi i antigenit në vendin tonë do të jetë falas për qytetarët.

Dje shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino deklaroi se futja e testit të shpejtë për kapjen e antigenit, identifikon viruset në një kohë shumë të shkurtër, maksimumi për 40 minuta.  

Drejtuesja e ISHP-së, Albana Fico, deklaroi se testet e shpejta, të cilët gjurmojnë një proteinë që është e lidhur me Covid-19 dhe kanë vlerë në grupe të mëdha.

Testi i antigenit kërkon proteina të virusit dhe duhet të përdoret nga pacientët brenda shtatë ditëve fillimi i simptomave. Testi i shpejtë përdor teknologjinë e rrjedhës anësore, gjë që është deri diku e njëjtë me testet e shtatzënisë.  Testet e reja bëhen nga profesionistë dhe nuk do të shiten direkt tek konsumatorët për përdorim në shtëpi.

Këto teste deri më tani ka arritur t’i prodhojë kompania Abbot e cila më herët ka deklaruar se  kërkesa për teste të shpejta të antigjenit dhe makinat që i drejtojnë ato tejkalojnë kapacitetet e prodhuesit. Kompania ka përcaktuar se testi është 97% i sigurt. Testet e shpejta të antigjenit në përgjithësi mendohet se janë më pak të ndjeshme sesa testet laboratorike PCR.

Në fund të shtatorit, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se një test që mund ta diagnostikojë saktë koronavirusin brenda pak minutash, do ta zgjerojë në mënyrë dramatike testimin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Sipas OBSH, testi prej 5 dollarësh mund ta transformojë gjurmimin e koronavirusit në vendet më pak të pasura, që kanë mungesa të punëtorëve të kujdesit shëndetësor dhe të laboratorëve.
“Prodhuesit e ilaçeve, Abbott dhe SD Biosensor, kanë rënë dakord me fondacionin bamirës “Bill dhe Melinda Gates” për të prodhuar 120 milionë teste”, tha atëbotë kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Testi i ri, mobil dhe i lehtë për t’u përdorur do të japë rezultate brenda 15-30 minutash, në vend të orëve ose ditëve”, tha Tedros.
Koha e gjatë midis bërjes së testit dhe marrjes së rezultatit i ka penguar përpjekjet e shumë vendeve për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.
Marrëveshja midis prodhuesve të ilaçeve dhe fondacionit “Bill dhe Melinda Gates” do të përfshijë 133 vende – shumë prej tyre në Amerikën Latine, e cila aktualisht është rajoni më i goditur nga pandemia për sa i përket fatalitetit dhe shkallës së infeksionit.
Marrëveshja do të sigurojë 120 milionë teste gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë