Shendet

Shefja e ISHP: Testet e shpejta në grupe të mëdha. Kush s’ka simptoma, COVID nuk transmetohet

Drejtuesja e ISHP-së, Albana Fico deklaroi se vendimi i Komitetit të Ekspertëve për mbylljen e pjesshme të vendit, nga ora 22:00 deri në 06.00, është vlerësuar të shtrihet për një periudhë 3-javore pasi në dy javë vlerësohet transmetueshmëria e virusit.

Ajo vuri theksin te testet e shpejta, të cilët sipas saj gjurmojnë një proteinë që është e lidhur me Covid-19 dhe kanë vlerë në grupe të mëdha.

“Komiteti i Ekspertëve ka dhënë OK. ISHP ka qenë e përgatitur, kemi bërë udhëzuesin gati. Ne jemi të qartë për grupet specifike dhe koha është tani. Testet e shpejta janë të tipit antigenik dhe zbulojnë një proteinë të caktuar që është lidhur me Covid-19. Kur ka rritje të transmetueshmërisë, këto teste kanë një vlerë të caktuar dhe përdoren në ato pika ku ne kemi problematikë, si fasoneria, shkolla. Këto teste u vihen në dispozicion mjekëve të familjes, spitaleve rajonale dhe epidemiologëve”, u shpreh Fico.

Ajo foli edhe vonesat e tamponëve dhe marrjen e përgjigjeve pas tyre, si një problematikë e rënduar gjatë ditëve të fundit.

“Në disa momente ka pasur shtim të numrit të infeksioneve. Me rritjen e numrit të infektuarve ka dhe një rritje të numrit të testimeve, të izolimit, të gjurmimit. Kjo përkthehet dhe në një vonesë të vogël të ritestimeve. Ka dy gjëra, sot jemi në katërfishim të rasteve nga qershori dhe ky është një numër i madh testimesh. Në këtë proces ka dhe vonesa për sa u përket ritestimeve”, shtoi ajo.

E pyetur nëse shkollat kanë të njëjtën rrezikshmëri për sa i përket përhapjes së Covid-19, si baret dhe restorantet, Fico tha se nga të dhënat ka dalë se rastet pozitive në shkolla nuk kanë ndikuar shumë në pozitivitetin e përgjithshëm të rasteve në Shqipëri. Me rritjen e moshës, rriten simptomat e të prekurve.

“Nga hapja e shkollës e deri tani janë dy muaj dhe është e provuar që rastet pozitive nga shkollat nuk kanë pasur pozitivitet të veçantë në rastet në Shqipëri. Edhe mësuesit që kanë qenë pozitivë janë marrë masa dhe janë dezinfektuar shkollat. Mësuesit, nxënësit, personeli mjekësor, shtëpitë e të moshuarve, janë disa grupe që monitorohen në mënyrë tejet skrupuloze, pasi në këto grupe kemi interes që të mos kthehen në fenomene për transmetueshmërinë e virusit”, shtoi Fico.

Personat që kanë disa ditë të infektuar dhe nuk kanë simptoma – vijoi shefja e ISHP – nuk infektojnë personat e tjerë.

“Pa diskutim, në mjekësi nuk ka 100% siguri. Por po flasim për njerëz të trajtuar në shtëpi, pa shenja dhe pa simptoma, ku sasia e virusit në gjak është e tillë sa nuk e ka forcën për t’u transmetuar”, shpjegoi ajo.

Edhe pasi një pacient ka rezultuar negativ, nuk është e thënë se ai nuk ka sasi të virusit në trup. “Kurimi i tij vijon. Ata që nuk kanë shenja dhe simptoma domethënë që janë të parrezikshëm për njerëzit e tjerë. Kjo nuk do të thotë që të heqim maskat dhe të afrohemi me njerëzit. Nëse ndiqen gjërat ashtu siç thuhet, do të ishte më e lehtë që ta kalojnë”, përfundoi Fico.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë