Pas formulës E, edhe Formula 1 zbarkon zyrytarisht në Arabinë Saudite. Është anonçuar se në vitin 2021 do të garohet edhe në rrugët e Jedah, qyteti i dytë më i madh i vendit, pas kryeqytetit Rijad. “Çmimi i Madh” do të zhvillohet në fund të nëntorit, gjatë natës, dhe do të jetë takimi i parafundit i një sezoni të pasur me 23 gara.
Forma e cirkuitit nuk është zbuluar ende, por Formula 1 ka bërë të ditur se edhe pse bëhet fjalë për garimin në rrugët e qytetit, nuk do të mungojnë rrugë të drejta të gjata dhe mundësitë për parakalim.
“Jemi shumë të lumtur që po e çojmë Formulën 1 edhe në Arabinë Saudite në sezonin 2021, – ka deklaruar Chase Carey, presidenti dhe administratori i deleguar në ikje i Formulës 1. – Arabia Saudite po shndërrohet me shpejtësi në një qendër nevralgjike të sportit, me shumë evente të mëdha që po organizon vitet e fundit.
Është një rajon i rëndësishëm i botës, ku 70% e popullsisë është më pak se 30 vjeç dhe ne jemi të kënaqur që po zgjerohemi me një publik të ri. Formula 1 do të publikojë kalendarin e 2021-shit javët e ardhshme, pasi të shohim me kujdes gjithçka dhe të kemi aprovimin e Këshillit Botëror të Sportit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




