Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpërndarë fletën e gjobës së vendosur ndaj Monika Kryemadhit nga ana e Policisë së Shtetit për mosrespektim të masave anti-Covid dhe mosmbajtje të maskës.
Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë, fundja fare kryetarja e LSI-së do të jetë pjesë e atyre qindra qytetarëve shqiptarë që policia raporton çdo pasdite se ka gjobitur për të njëjtën arsye.
Por, në gjobën e Monika Kryemadhit vihen re disa detaje që ngrenë disa dyshime. Data e gjobës është 5 nëntor 2020. Shuma e gjobës së vendosur është 3 mijë lek. Sipas aktit normativ të miratuar nga Qeveria për mbajtjen me detyrim të maskave, kjo duhet të jetë gjoba e parë ndaj Monika Kryemadhit, pasi sipas aktit, nëse qytetari shkelës është përsëritës, gjoba është 5 mijë lek.

Megjithatë, një ditë më parë, Policia e Shtetit doli me një njoftim ku tha se kishte gjobitur Monika Kryemadhin për mosmbajtje maske gjatë një aktiviteti që kryetarja e LSI-së zhvilloi në Kombinat. Vetë LSI reagoi ku tha se lajmin që Kryemadhi ishte gjobitur e kishte mësuar nga mediat dhe se gjatë aktivitetit nuk është shfaqur asnjë polic për t’i komunikuar gjobën.
Tani, dy janë dilemat që lindin: ose Policia e Shtetit ka gënjyer me njoftimin e një dite më parë dhe nuk e ka gjobitur Monika Kryemadhin, ose Policia e Shtetit po e mban “me hatër” Monika Kryemadhin duke i vendosur dy gjoba 3 mijë lekshe dhe duke i kursyer asaj 2 mijë lek nga xhepi! Cila prej këtyre të jetë vallë?
Kjo pyetje mund të mos marrë përgjigje, ndërsa një tjetër detaj nga fleta e gjobës tregon një “lapsus” me vitet të kryetares së LSI-së. Ajo ka plotësuar sektorin e gjobës ku deklarohen qytetarët e penalizuar.
“Do t’ja çjerrim maskën më 25 prill 2020 Edi Ramës! Shqipëria, shtëpia e shqiptarëve!”, shkruan ajo, dukshëm duke iu referuar 25 prillit të dekretuar nga Ilir Meta si datë zgjedhjesh, por…më 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



