Me suksesin e arritur në Çmimin e Madh të Portugalisë, Lewis Hamitlon është bërë piloti më fitues i historisë së Formula 1. Fitorja në pistën e Portimaos ishte e 92-ta në karrierë dhe 35-vjeçari parakaloi një legjendë si Michael Schumacher (91), duke u bërë piloti me më shumë gara të fituara.
Megjithatë, sipas Bernie Ecclestone, ish-numri një i Formula 1, fitoret e 7 herë kampionit të botës të Ferrari-t kanë patur një “shije” tjetër. “Schumi ka qenë pak a shumë vetëm në drejtim të makinës”, ka thënë Ecclestone për AFP. “Ndërsa Hamilton ka shumë njerëz që mund ta ndihmojnë të kontrollojë makinën, si për presionin e gomave, ashtu edhe për shpejtësinë që duhet të mbajë në kthesë”.

“Nuk mund të thuash asgjë negative për Lewis, është e pamundur të thuash që nuk është i aftë. Ka një talent të jashtëzakonshëm dhe është mes pesë pilotëve më të mirë të 30 viteve të fundit”. Mbretëresha e sportit të motorëve, ashtu si pilotët e saj, ka ndryshuar shumë gjatë viteve dhe Bernie e di mirë: “Mjafton të mendosh për veshjet e Hamilton. Nëse nuk do ta dije se është një pilot, nuk do ta mendoje kurrë. Ndërsa një Nelson Piquet ose një Schumacher, kur i shihje, e dije se ishin pilotë sepse ishin të veshur për rolin që kishin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




