Ana e errët

Konflikt për maskën: Pasi mbron qytetarin, përfundon vetë në komisariat

Maska anti Covid është një motiv i ri i përplasjeje me policinë. Këtë fakt e zbulojnë procesverbalet e policisë së rendit që përherë e më shumë po u kërkojnë qytetarëve që të mos qarkullojnë jashtë banesës pa mbajtur maskën në fytyrë për të parandaluar në këtë mënyrë përhapjen e infeksionit që po njeh rritje. Një burim i Gazetës “Si” tregoi se një 31-vjeçar u shoqërua në komisariatin numër 4 dhe më pas, u vendos të procedohet në gjendje të lirë për mosbindje ndaj urdhrave të policisë pikërisht për shkak të pandemisë. Shtetasi A.L bëhet me dije se u përfshi në konfliktin me policinë që ndërkohë po kryente kontrolle dhe po i vendoste gjobë një qytetari tjetër. Dy policët kallëzues me inicialet E.L dhe D.S pretendojnë se ishin në shërbim si patrullë e përgjithshme në afërsi të rrugës "Xhanfize Keko".

Në anën e Sheshit “Shimon Perez” - pohojnë policët konstatuam një shtetas që po qarkullonte në këmbë pa maskë mbrojtëse. Ne morëm kontakt me këtë shtetas, e pyetëm nëse dispononte apo jo maskë mbrojtëse dhe përse nuk e kishte vendosur, por qytetari tha "nuk kam maskë", rrëfejnë efektivët. Më pas gjatë dinamikës së shërbimit, policët i kanë kërkuar kartën e identitetit qytetarit që është identifikuar si V.Q. Por në kohën kur policët po bëheshin gati t'i prisnin fletën e gjobës, pranë tyre afrohet një shtetas tjetër A.L, i cili i pyet: "Çfarë problemi keni me zotërinë, ai është njeriu im?" Policët këmbëngulën se i dhanë "llogari" të panjohurit duke i shpjeguar se po i vendosnin masë administrative, pra gjobë për mos mbajtjen e maskës anti Covid-19.

"Ai na i ktheu: "Nuk keni punë me të". Ne i kërkuam këtij shtetasi të largohej pak dhe të na lejonte të kryenim detyrën dhe madje u treguam të gatshëm se do ta sqaronim. Por qytetari nuk u bind dhe ndaj ne i kërkuam verifikimin e identitetit", dëshmon njëri nga policët. "Ky person prapë nuk pranoi të identifikohej, i kërkuam kartën e identitetit dhe nuk na i dha dhe në këtë situatë e paralajmëruam se do ta shoqëronim në komisariatin numër 4", u dëshmon kolegëve polici i patrullës së përgjithshme.

Në kushtet kur policia ka tentuar ta dërgojë në komisariat, burri me profesion agronom ka kundërshtuar derisa policët kanë kërkuar përforcime. Por ndërkohë edhe qytetari me inicialet A. L ishte pa maskë dhe në komisariat pasi e kanë identifikuar, policët i kanë prerë edhe atij fletën e gjobës për mosmbajtje të maskës në kundërshtim me aktin normativ numër 32 datë 12 tetor 2020.

Çfarë tha qytetari?

Pasi është bindur dhe ka marrë në dorë fletën e gjobës si dhe është paralajmëruar se nuk shpëtoi vetëm me masë administrative, policët e kanë ftuar të japë qëndrimin e tij që u mbajt shënim. A. L, kërkoi avokat të zgjedhur nga shteti dhe më pas shtoi "ka ndodhur një keqkuptim, unë nuk kisha asnjë qëllim të kundërshtoja policinë. Maskën e kisha, por nuk e kisha vendosur, madje e kisha në dorë dhe më ra. Nuk i kam sharë policët dhe as kundërshtuar, e pranoj gjobën dhe po e firmos. Më vjen keq pasi jam person i arsimuar dhe nuk doja të përplasesha me policët" deklaron A.Lika që sipas komisariatit numër katër pasi të paguajë gjobën e maskës në faturën e energjisë elektrike, ai do të referohet edhe në prokurori për mos bindje të policisë.

Por ky rast nuk është i vetmi. Një qytetar në bulevard deklarohet se u largua me vrap sapo pa policinë që i bëri me shenjë të ndalonte. Policët shkruajnë "personi i paidentifikuar, mbante veshur një bluzë të zezë dhe ishte i gjatë 1.70. Por sapo efektivët i kërkuan të ndalojë ai vrapoi, duke detyruar edhe patrullën të vihej në ndjekje të tij".

 Nuk dihet ende nëse i panjohuri ishte më i mirë se policët në vrap, apo ai u tolerua prej policëve që pasi njoftuan në radio, pranuan të përshkruajnë në raport shërbimi se të paidentifikuarit nuk ja prenë dot fletën e gjobës, pasi ai u përzje me turmën dhe u humbi nga sytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë