Bota

Zgjedhjet në SHBA, Vuçiç: Më e lehtë për Serbinë nëse fiton Trump

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi sot se do të ishte “disi më e lehtë” për Serbinë nëse presidenti Donald Trump do të fitonte zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Në një konferencë për shtyp në Beograd, ai tha se zgjedhjet amerikane mbeten të rëndësishme për Serbinë, në të cilat, pa dyshim, favorit është kandidati demokrat Joe Biden, me të cilin, siç thotë ai, ka marrëdhënie korrekte, por politika e të cilit nuk ishte në favor të Serbisë.

“Kjo politikë nuk do të jetë në favor të Serbisë dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e mira personale, ne duhet ta dimë atë,” tha Vuçiç.

Pas mbledhjes së qeverisë, ku mori pjesë si kryetar i shtetit, ai u ndal po ashtu edhe tek Kosova, duke thënë se njohja e ndërsjellë nuk është një çështje që Serbia do ta diskutojë ndonjëherë dhe përsëriti se Prishtina është e obliguar të përmbushë detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit, e cila së pari përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Na duhet një zgjidhje kompromisi midis Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Vuçiç. Sipas tij, në kontekstin e Kosovës, për Serbinë janë të rëndësishme zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden gjatë një konference për shtyp ka përmendur faktin që djali i tij ka shërbyer në Kosovë në kuadër të trupave amerikane të NATO-s.

Si senator, Biden ka qenë aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe ka vizituar këtë rajon në disa raste. Hera e fundit që Biden ka vizituar Kosovën dhe Serbinë, si Zëvendës-president i Shteteve të Bashkuara, ka qenë në gusht të vitit 2016.

Ndërkohë, si rezultat i marrëveshjes në Uashington më 4 shtator, zyra e Korporatës Ndërkombëtare Amerikane të Financave të Zhvillimit (DFC) u hap në Beograd më 22 shtator.

I dërguari special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha në të njëjtën ditë se në vitet e mëparshme ishin bërë shumë premtime, dhe u bëri thirrje qytetarëve në rajon që këtë herë të besojnë për fjalën e dhënë.

Ai vuri në dukje se qëllimi është që “t’i kthejë premtimet në punë të vërteta”. “Na duhet një vit për t’iu treguar njerëzve në Kosovë dhe Serbi përmirësimin në ekonomi,” ka thënë mes tjerash Grenell.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 3 nëntor. Gara do të zhvillohet mes presidentit aktual, Donald Trump dhe kandidatit demokrat për këtë pozitë, Joe Biden. Radio Evropa e Lirë do të përcjellë këtë proces në kohë reale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë