Festa e Mercedesit për titullin e shtatë kampion bote në Formula 1 është zbehur nga fjalët e Ljuis Hemiltonit. Me deklaratën pas garës së fundit në Imola ai la shumë dyshime për një lamtumirë të mundshme.
Piloti anglez i ka befasuar të gjithë me përgjigjen për një pyetje që kishte të bënte me të ardhmen e Toto Volf, i cili vitin e ardhshëm pritet të ketë një rol tjetër. “Jam këtu prej shumë vitesh dhe për momentin nuk e di, nëse do të jem apo jo vitin e ardhshëm, kështu që vendimi i Volf nuk më shqetëson.
Mund të kuptoj dëshirën për të bërë ndonjë hap prapa dhe për t’i dhënë më shumë kohë familjes. Personalisht, ndihem shumë mirë, jam i fortë dhe besoj se mund të eci përpara edhe për pak kohë. Më pëlqen të jem edhe në të ardhmen, por nuk ka garanci. Të presim dhe të shohim”, – është shprehur Hemilton pas garës, duke lënë të nënkuptohet se mund të tërhiqet nga Formula 1.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




