U deshën 14 vite që pista e Imolas të rikthehej në kalendarin e Formules 1. Pista historike, ku fatkeqësisht ikona braziliane Ayrton Senna humbi jetën në vitin 1994, risolli dhe e rishkroi historinë në vitin 2020. Fill pas flamurit me kuadrata, skuadra gjermane Mercedes fiton titullin e saj të 7 radhazi për konstruktorë, një arritje që asnjë skuadër tjetër nuk ia ka arritur.

Tashmë është bërë ritual të thuash që Hamilton fiton një garë, por këtë herë iu desh më shume sesa thjesht aftësia e tij për të përfunduar i pari. Fati ishte me pilotin britanik këtë here. Nisja e tij e garës nuk ishte ndër më të mirat dhe humbet pozicionin e dytë nga Max Verstappen. Gjysma e parë e garës ishte thjesht një ndjekje pa shumë emocione, por me fillimin e pitstopeve të para, ndryshoi gjithçka. Hamilton vendos që të qëndrojë në pistë, ndërkohë që Bottas dhe Verstappen ndalojnë për të vendosur gomat e forta. Dhe pikërisht aty kur i duhej, makina Renault e Ocon shkakton një Virtual Safety Car. Britaniku i Mercedes përfiton dhe kryen pitstopin e tij duke mbajtur vendin e parë.
Holandezi i Red Bull arrin që të parakalojë një Bottas në vështirësi, por gjithçka përfundon për të pasi pëson shpërthimin e gomës së tij të pasme të djathte. Gare për tu harruar për Red Bull, pasiqë edhe Albon përfundon garën i fundit. Ricciardo i Renault arrin që të ngjitet përsëri në vendin e tretë të podiumit. Një tjetër podium për australianin, por a do te thotë kjo një tjetër tatuazh për Cyril Abiteboul? Basti midis Ricciardos dhe shefit te tij të skuadrës mbetet për tu sqaruar.

Vendi i 5 për Leclerc, i cili me goma të vjetra arriti deri në fund të mbaje pas Sergio Perez, i cili kishte goma më të freskëta. Por nuk arriti të beje të njëjtën gjë me Kvyat, i cili e parakaloi për vendin e 4. Rikthim në zonën e pikëve për dy makinat Alfa Romeo të Raikkonen dhe Giovinazzi, të cilat përfundojnë në vendin e 9 dhe 10.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




