Bota

Janina dhe Selaniku në izolim. Greqia masa të reja anti-covid!

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pritet të shpallë një "plan veprimi" për të vënë nën kontroll rritjen e infeksioneve. Ai deklaroi mëngjesin e së enjtes se rajonet e Selanikut, Larisës dhe Rodopi do të bllokohen pas rasteve të reja me koronavirus.

Po ashtu Janina dhe Serre hynë zyrtarisht në bllokim, pas një rritjes rekord të numrit të të infektuarve ditët e fundit. Në këto rajone, gjykatat, parqet e lojërave, muzetë, restorantet dhe kinematë do të qëndrojnë të mbyllura.

Përdorimi i maskës do të jetë i detyrueshëm brenda dhe jashtë për rajonet që hyjnë në nivelin më të lartë të rrezikut nga virusi dhe askush nuk do të lejohet të lëvizë nga mesnata deri në 5 të mëngjesit apo edhe jashtë rajoneve dhe qyteteve. Të gjitha tubimet në hapësirat publike dhe private do të pezullohen. Por Mitsotakis tha që dyqanet dhe shkollat do të qëndrojnë të hapura.

"Si në fazën e parë, kur kemi ndërmarrë veprime në kohë rekord, ne duhet të marrim masa më të ashpra më herët se vendet e tjera europiane për të parandaluar më të keqen, për të shpëtuar jetë dhe për të ulur presionin mbi sistemin shëndetësor," u tha Mitsotaqis ministrave të tij gjatë një telekonference të enjten.

Ai tha se plani i ri i qeverisë grekë do të jetë në fuqi për një muaj.

"Unë do të them përsëri se qëllimi ynë mbetet të shmangim një bllokim total, kështu që ne do të vazhdojmë të forcojmë më tej masat kufizuese," i tha ai kabinetit.

Kryeministri grek tha se dy javët e ardhshme do të jenë "vendimtare" dhe i bëri thirrje secilës ministri të sigurojë zbatimin e ligjit. Mitsotakis tha se ai besonte se Greqia është 2 deri në tre javë prapa vendeve të tjera europiane në zhvillimin e valës së dytë të pandemisë.

Rastet e reja të koronavirusit në Greqi arritën një rekord të Mërkurën, me 1,547 raste të konfirmuara. 51 nga këto raste të reja u regjistruan në rajonin e Janinës dhe 158 në Serres.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë