“Siç e sheh kancer, unë jam zot i vetes sime dhe ti nuk më prangos dot dhe unë do të mbijetoj!”… Vargjet e lexuara nga Rezarta Reso, shoqëruar nga zëri i sopranos Ermonela Jaho mishëroheshin e merrnin formë në vallëzimin e prima balerinës Enada Hoxha.
Një performancë e përgatitur nga YWCA-Shoqata Kristiane e Grave të Shqipërisë për fushatën e 12-të të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, me ambasadore të kauzës Ermonela Jahon.
Edhe vitin e kaluar balerina e sopranoja u takuan në skenën e Katedrales Ortodokse, në koncertin e bamirësisë “Fjongoja rozë më kujton”, ku Enada do të vallëzonte me tingujt e pianos dhe zërin e sopranos me famë botërore.
Por angazhimi i balerinës në kauzat e tetorit “rozë”, janë më të hershme, qofshin nisma nga organizata jofitimprurëse apo nga Ministria e Shëndetësisë.“Me gjithçka që po ndodh në botë, mos harroni se ky është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Shpresë, mbështetje dhe dashuri për të gjithë që luftojnë këtë sëmundje.
Le të kujdesemi për veten e njëri tjetrin”, shkruan balerina në profilin e saj të Facebook-ut, ndërsa një vit më parë u bënte thirrje të gjitha grave të vinin veten në qendër e të informoheshin rreth kancerit të gjirit. “Inkurajo dhe gratë e tjera në jetën tënde të kryejnë mamografinë periodikisht. Nëse kanceri i gjirit kapet herët, është i kurueshëm. Duaje jetën dhe ruaje atë!”, ishte mesazhi i EnadaHoxhës në fushatën kundër kancerit të gjirit, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, më 2019-n.
Vite më parë ajo ishte pjesë e një fushate organizuar nga një spital privat, në kuadër të luftës kundër kancerit të gjirit, me sloganin “vishu bukur, shko tek doktori!” , të cilën e nisi pikërisht ajo duke nominuar dy mikesha për ta zgjeruar sa më shumë rrjetën e informimit dhe ndërgjegjësimit, për të përfshirë çdo grua.
“Ne shprehim veten, emocionet, përjetimet, dhimbjen, shpresën, me fjalë, lëvizje e tinguj!Në përballjen me sfidat e jetës, ne kemi nevojë të gjejmë forcën brenda vetes, si dhe nga njerëzit që duam fort e që na pranojnë për atë që jemi!
Mbyll sytë dhe ndiej që unë jam Zot i vetes sime, shpirtit tim dhe asgjë nuk më prangos dot!”, ishte mesazhi i këtij viti në fushatën e Fjongos Rozë, ndërsa diagnostikimi në kohë mund të shpëtojë jetën e një gruaje…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.