Kanë pasur një duel të ashpër 13 vite më parë: njëri kampion në fuqi dhe tjetri debutues. Fernando Alonso po përgatitet të sfidojë sërish Ljuis Hemiltonin në 2021-shin dhe në pritje për ta bërë në pistë, spanjolli e thumbon anglezin me fjalë, kur pyetet për krahasimin mes 6 herë kampionit të botës dhe Mikael Shumakerit.
Gjatë një interviste për “Sport Bild”, Alonso ka thënë se Shumaker është një shkallë më lart. “Të krahasosh dy periudha të ndryshme dhe makina të ndryshme është e vështirë. E kujtoj Shumakerin si një pilot shumë të vështirë për ta mundur. Kishte thjesht diçka më shumë se të tjerët. Ljuis është shumë i zoti, më i forti i gjeneratës së tij, por nuk arriti ta fitonte titullin kur kishte shok skuadre Xhenson Baton, u mund nga Niko Rosberg në 2016-ën”, – ka thënë Alonso.

Ndoshta në gjykimin e spanjollit ndikon ajo përplasje e brendshme e 2007-ës te Meklareni mes tij dhe debutuesit Hemilton. “Shumakerit nuk i ka ndodhur kurrë kjo gjë (të mundej nga shokët e skuadrës), ai fitonte gjithmonë, kështu që për mua Mikaeli mbetet një shkallë më lart se Hemiltoni”, – shton më tej Alonso. Shumaker i ka mundur gjithmonë shokët e skuadrës, përveç vitit 1999 te Ferrari me Edi Irvajn, por në atë kohë gjermani nuk mori pjesë në 6 gara për shkak të incidentit në Silverston.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




