Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi këtë të diel vendimin e Komitetit Teknik të ekspertëve për të lejuar ushtrimin aktivitetin e tyre dhe në ambientet e brendshme.
“Nga 1 tetor, duke lejuar ushtrimin e aktivitetit të restoranteve dhe bar-kafeve në ambiente të mbyllura, si dhe pishinat në ambientet e mbyllura. Higjiena dhe mbajtja e maskës është kusht i rreptë”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja sqaroi se nuk ndryshon vendimi i muajit korrik që mban ende mbyllur lokalet e natës.
“Do të vijojnë të mbeten të mbyllura të gjitha klubet e natës, pub-e dhe disko apo aktivitete të tjera të këtij lloji”, vijoi ministrja.
Më herët, Kryeministri Edi Rama e paralajmëroi këtë njoftim, duke kërkuar sërish kujdes nga qytetarët që të respektojnë masat anti-Covid dhe të mos e nënvlerësojnë rrezikshmërinë e virusit.
“Sot do të dalë njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen brenda të lokaleve. Se është problem tani që fillon koha më e ftohtë. Por duke respektuar masat, mos e merreni me shaka Covid-in. Larg qoftë për secilin”, tha Kryeministri.
Aktualisht në fuqi është vendimi i marrë që në fillim të muajit qershor, sipas të cilit lokalet dhe baret mund t’u shërbejnë klientëve vetëm në ambientet e tyre të jashtme. Në rast shkeljeje të këtij vendimi, sipas udhëzimit që është ende në fuqi, subjektet mund të gjobiten deri në 1 mln lek dhe në rastet e përsëritura edhe me pezullim licence për 6 muaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.