Kosova ka parë përgjatë javëve të fundit një rënie të ndjeshme të rasteve me koronavirus, por për shumë ekspertë, kjo nuk është asgjë tjetër veçse qetësia para stuhisë. Gjatë muajit shtator është shënuar një rënie e lehtë e të infektuarve, ndërkohë që në korrik dhe gusht Kosova kaloi edhe Maqedoninë e Veriut për numrin e viktimave. Por ditët e fundit, numri i infektuarve me koronavirus nuk ka kaluar shifrën 76. Megjithatë, sipas ekspertëve, hapja e shkollave ka të ngjarë të çojë drejt një vale të dytë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se këtë vjeshtë, Evropa duhet të jetë e përgatitur për më shumë vdekje nga COVID-19, pasi numri i të infektuarve në kontinentin e vjetër ka filluar të rritet, duke sjellë edhe një rritje të viktimave.
OBSH ka shënuar rekord ditor të rasteve të reja me koronavirus, me 307,930 persona të prekur nga Covid-19. Më 14 shtator janë regjistruar edhe 5,500 vdekje, duke e çuar totalin e viktimave në 917,417.
Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, thotë se në të gjithë Ballkanin ekziston rreziku që të kemi ngritje të numrit të rasteve apo valë të re të pandemisë.
“Në ditët e fundit në rajonin europian jemi dëshmitarë të shtimit të numrit të rasteve sidomos në Spanjë, Francë, Itali, Angli por edhe në vende tjera. Kosova në muajt korrik dhe gusht ka pasur një shtim të numrit të rasteve, derisa gjatë shtatorit kemi një stabilizim të numrit të rasteve. Duhet të jemi vigjilent sepse mund të kemi rritje të numrit të rasteve’’, tha Syla.

Për mikrobiologn Lul Raka nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, rihapja e shkollave dhe kthimi në hapësira të mbyllura për shkak të ftohjes së motit, e bën të pashmangshëm shtimin e qarkullimit të virusit, edhe për shkak të gripit sezonal.
“Të gjithë këta faktorë janë elemente që mund të cojnë drejt një tjetër vale. Prandaj, zbatimi i masave parandaluese nga organet shtetërore është më i rëndëishëm se kurre. Rezultati përfundimtar do të varet nga vetë qytetarët e Kosovës dhe nga institucionet qeveritare. Numrat e ditëve të fundit, të cilët kanë trend drejt uljes, na kanë treguar qartë rezultatin pozitiv të një bashkëveprimi të tillë sinkronik’’, tha Raka.
Ndërkaq, Syla shton se disa studime thonë se mund të ketë një rënie të lehtë të virulencës, por në përgjithësi, sipas tij, kjo nuk duhet të merret e mirqënë, sepse sa më i madh që të jetë numri i të infektuarve në çdo vend të botë mundësia për fatalitet prapë mbetet e madhe.
‘’Nëse pritet të kemi numër më të madh të të infektuarve, edhe nëse bie virulenca, prapë numri i të vdekurve mund të jetë i pranishëm. Përderisa nuk do ta kemi një vaksinë efikase, apo një trajtim efikas, situata epidemiologjike do të varet nga sjellja e njerëzve. OBSH-ja rekomandon gjithsesi evitimin e ngjarjeve që mund të përshpejtojnë përhapjen e virusit, sidomos grumbullimin e njerëzve në numër të madh, si dhe mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e distancës’’, tha Syla.
Edhe Raka ka thënë se nëse zbatohen masat parandaluese, atëherë numri i rasteve do të jetë i kontrolluar. Por, ai shton se jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin, duhet të shtohet numri i testimeve, shpejt rritjen e rasteve dhe identifikon grupet me rrezik të lartë të sëmundjes. “Shpejtësia e gjurmimit të kontakteve është e rëndësishme për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes dhe duhet të bëhen përpjekje për të shkurtuar kohën e nevojshme për secilin hap në procesin e testimit”, deklaron ai.
Sipas tij është pothuajse e sigurt se i gjithë rajoni do të përballet me një rritje të rasteve. ‘’Deri atëherë duhet të përgatitemi sa më mirë me teste, staf dhe pajisje mjekësore. Testimi i gjerë, izolimi i shpejtë i rasteve dhe gjurmimi në kohë dhe efektiv i kontakteve dhe karantina e kontakteve të identifikuara mbeten shtyllat kryesore e reagimit të shëndetit publik për të kontrolluar Covid-19’’, tha Raka.
Sidoqoftë, Raka tha se sipas studimeve të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) gjatë muajve janar-maj, 40% e rasteve ishin të moshës mbi 60 vjeç, kurse përqindja më e madhe e rasteve u raportua te grup-mosha 50-59 vjeç (18.7%).
Mirëpo, në muajt qershor dhe korrik, personat mbi 60 vjeç u prekën në vetëm 17.3% të rasteve dhe përqindja më e madhe ishte te mosha 20-29 vjeç (19.5%).
Përqindja e rasteve të diagnostikuara midis fëmijëve dhe të rinjve 20 vjeç gjithashtu u rrit nga 4.2%, në 12.8% në të njëjtën periudhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



