Treg

Administrata Trump nxit kontrollin maksimal të TikTok nga SHBA

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin e zyrtarë të tjerë kanë kërkuar pjesën e pronësisë së SHHBA-ve mbi 50%

Zyrtarët e administratës Trump po kërkojnë t'u japin investitorëve amerikanë një shumicë të aksioneve të kompanisë që do të operojë aplikacionin kinez për ndarjen e videove TikTok, sipas burieve pranë çështjes.

Kjo po shpie në pasiguri dhe fërkime mbi termat e marrëveshjes në zhvillim për të transferuar aplikacionin popullor në një njësi me bazë në SHBA, siç ka kërkuar Presidenti Trump.

ByteDance Ltd., kompania me bazë në Pekin që zotëron TikTok, ka kërkuar të mbajë pronësinë e shumicës mbi partneritetin e saj me Oracle Corp në një kompani të re me bazë në SHBA që merr përsipër operacionet e TikTok, njoftoi më parë The Wall Street Journal.

Kjo ka ngritur shqetësime mes republikanëve të Senatit dhe të tjerëve, të cilët thonë se partneriteti i propozuar i teknologjisë midis ByteDance dhe Oracle nuk arrin në blerjen e plotë të SHBA-ve të kërkuar nga Z. Trump, duke lënë shqetësime për qasjen e mundshme të qeverisë kineze në të dhënat e përdoruesve të SHBA-ve.

I pyetur rreth ByteDance që mban shumicën e aksioneve në TikTok, Trump tha, "Konceptualisht, unë mund t'ju them, nuk më pëlqen kjo."

Ai tha se do të informohej plotësisht për marrëveshjen e TikTok të enjten dhe se nuk është i gatshëm të nënshkruajë derisa të marrë më shumë informacion.

Përpos kësaj tabloje, Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin dhe zyrtarë e investitorë të tjerë të SHBA.-ve janë përpjekur të sigurojnë që pjesa e pronësisë së SHBA-ve për kompaninë e re të arrijë mbi 50%, sipas një burimi pranë çështjes.

ByteDance aktualisht është rreth 40% e zotëruar nga investitorë amerikanë siç janë firmat e sipërmarrjeve Sequoia Capital dhe General Atlantic, tha burimi. Pak më pak se 25% është mbajtur nga Zhang Yiming, themeluesi i ByteDance, dhe rreth 20% nga punonjësit e ByteDance, bëri me dije i njëti burim. Rreth 20% është mbajtur nga investitorë të tjerë jo-amerikanë.

Nën strukturën e re që kërkohet nga zyrtarët amerikanë, të gjitha pasuritë e ByteDance do të shkojnë te kompania e re. Oracle dhe Walmart Inc. do të bëhen investitorë gjithashtu, tha burimi, dhe së bashku këta investitorë amerikanë do të kishin gjithsej më shumë se 50% të pronësisë, sipas planit.

Por zyrtarët amerikanë dhe investitorët amerikanë duan të marrin pjesën më të madhe të SHBA-ve, tha personi i njohur me këtë çështje, duke shtuar se një mënyrë e mundshme për ta bërë këtë do të ishte marrja e kompanisë së re me bazë në SHBA.

TikTok nuk pranoi të komentonte mbi çështjen e pronësisë.

Gazeta raportoi të martën se ByteDance do të mbante shumicën e aksioneve sipas propozimit të paraqitur fillimisht te rregullatorët e sigurisë kombëtare. Nuk mund të përcaktohej menjëherë nëse kjo është ndryshuar si pjesë e procesit të rishikimit.

Një nga njerëzit që e njeh çështjen tha se propozimi aktual në shqyrtim ka konsorciumin e investitorëve amerikanë me shumicën e aksioneve. Dallimet në mënyrën se si është përshkruar pronësia, mund të burojnë nga ndryshimet në mënyrën se si llogariten investimet ekzistuese të SHBA-ve në ByteDance.

Të dy Oracle dhe Walmart i shohin investimet e tyre si një mënyrë për të konkurruar më mirë me Amazon.com Inc. Walmart gjithashtu duhet të përfitojë nga një partneritet me një platformë kryesore të konsumatorit ku mund të zhvendosë më shumë reklama të saj.

Të dy investitorët, si ata kinezë, dhe ata amerikanë kanë kundërshtuar një shitje 100%, siç ishte konsideruar fillimisht. Investitorët kinezë nuk duan të detyrohen të bëjnë një shitje që ata besojnë se është më pak sesa vlen TikTok dhe investitorët amerikanë janë të kujdesshëm për të marrë përsipër të gjithë rrezikun e pronësisë 100%.

Ideja e një kompanie me bazë në SHBA me pronësi të ndarë është bërë një kompromis i mundshëm. Por mbetet e panjohur nëse Trump është i gatshëm të bëjë kompromis për shqetësimet e tij të sigurisë.

Në një urdhër ekzekutiv të muajit gusht, Shtëpia e Bardhë i dha ByteDance një afat 45-ditor për të shitur ose ristrukturuar operacionet e saj në TikTok të SHBA-ve ose përndryshe do të përballej me një ndalim të rrezikut të perceptuar të sigurisë.

Administrata pretendon se të dhënat që TikTok mbledh nga konsumatorët amerikanë, mund të ndahen me qeverinë kineze. TikTok ka thënë se kurrë nuk do të dorëzonte të dhëna të tilla.

Si pjesë e propozimit të saj, ByteDance do të lejojë Oracle të rishikojë kodin burimor dhe softuerin e TikTok për të siguruar që nuk ka dyer që lejojnë qeverinë kineze ose subjektet e tjera të kenë qasje në të dhëna, sipas njerëzve të tjerë të njohur me këtë çështje.

Oracle gjithashtu do të kontrollonte rregullisht rrjedhat e të dhënave për të konfirmuar që të dhënat nuk shkojnë askund ku nuk mendohet të shkojnë, thanë ata njerëz, dhe anëtarët e bordit amerikan do të duhet të aprovohen nga qeveria e SHBA-ve. Bordi do të përfshinte një ekspert të të dhënave me kredencialet e sigurisë kombëtare, thane burimet.

Marrëveshja Oracle u rishikua të martën nga Komiteti për Investime të Huaja në SHBA, i cili peshon transaksionet e biznesit me subjekte të huaja për shqetësime të sigurisë. Paneli nuk bëri menjëherë një rekomandim.

I pyetur në lidhje me statusin e marrëveshjes të mërkurën, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se administrata Trump do të siguronte mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare.

Një zyrtar tjetër i administratës tha se "ka shumë analiza që po ndodhin" mbi veçoritë e marrëveshjes, çështje kyç të lidhura me sigurinë e të dhënave të konsumatorëve në aplikacion dhe kontrollin e korporatave, dhe se zyrtarët e administratës së nivelit të lartë nuk ishin takuar ende që nga e mërkura pasdite.

"Siguria është absolutisht thelbësore," tha zyrtari. "Kjo është gjëja nr. 1, dhe ndoshta e dyta është kontrolli ekzekutiv, kontrolli i bordit, kontrolli i pronësisë."

Në komente muajin e kaluar, Trump tha se ai gjithashtu priste që qeveria e SHBA-ve të merrte para si pjesë e marrëveshjes. Zyrtari tha se kërkesa mund të përmbushej përmes krijimit të një sipërmarrje të re TikTok-Oracle që do të krijonte "shumë vende pune dhe taksa".

Të mërkurën vonë, Trump tha se avokatët e administratës e kanë informuar atë se qeveria e SHBA-ve nuk mund të pranojë pagesa si rezultat i marrëveshjes.

Administrata po lëviz gjithashtu shpejt, tha zyrtari, duke pasur parasysh një afat të dielën në të cilin TikTok mund të ndalohej nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Republikanët e Senatit thanë të mërkurën në një letër se do të shqyrtonin nga afër marrëveshjen.

"Çdo marrëveshje midis një kompanie amerikane dhe ByteDance duhet të sigurojë që operacionet, të dhënat dhe algoritmet e TikTok në SHBA. janë plotësisht jashtë kontrollit të ByteDance ose ndonjë aktori të drejtuar nga shteti kinez, duke përfshirë çdo entitet që mund të detyrohet nga ligji kinez të kthejë ose të përdorë të dhënat e konsumatorëve amerikanë ", thuhet në letër, e cila u nënshkrua nga Sens. Marco Rubio (R., Fla.), Thom Tillis (R., NC), Roger Wicker (R., Miss.), Rick Scott (R., Fla.), Dan Sullivan (R., Alaska) dhe John Cornyn (R., Texas)./Burimi: Wall Street Journal/ Në shqip: Gazeta “Si”/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë