Politike

Kuvendi voton ngritjen e Komisionit që do të përzgjedhë anëtarët e KQZ-së

Parlamenti është mbledhur këtë të enjte në seancë plenare, ku si pikë të fundit të rendit të ditës ka edhe projekt/vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar që do të përzgjedhë kandidaturat për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mazhoranca ka propozuar Damian Gjiknurin për kryetar të këtij Komisioni, ndërsa anëtarë Alket Hysenin dhe Adnor Shametin. Nga grupet e opozitës parlamentare janë propozuar Myslim Murrizi dhe Edmond Stojku.

Në bazë të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, KQZ përbëhet nga Komisioneri Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionit Rregullator, Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve si dhe për Nënkomisioneri Shtetëror të Zgjedhjeve.

Struktura e re e KQZ-së u ra dakord në bisedimet e Këshillit Politik dhe marrëveshjen e nënshkruar më 5 qershor mes PS-së dhe PD e LSI. Opozita jashtëparlamentare propozoi fillimisht që anëtarët e rinj të kësaj strukture të zgjidheshin nga Avokati i Popullit dhe të shmangej Parlamenti. Por, ky propozim u refuzua nga socialistët që këmbëngulën tek roli i Kuvendit në këtë pjesë.

PD u tërhoq nga ky propozim dhe u ra dakord që procesi të zhvillohej në Kuvend, ku Avokati i Popullit do të ketë një rol vëzhgues. Megjithatë, PD do të përfaqësohet me Oerd Bylykbashin në një komision tjetër “ad hoc” të ngritur në Parlament, e që nuk përbëhet nga deputetë, por që do të shërbejë si filtër për kandidaturat që do t’i kalojnë komisionit tjetër ku përfaqësohet mazhoranca dhe opozita parlamentare.

Sa i përket zgjedhjes, të gjitha anëtarët e KQZ-së së re duhet të votohen në seancë plenare nga shumica e cilësuar prej tre të pestave të deputetëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë