Kush ka ndërmend që të udhëtojë në rrugë detare drejt Italisë së Jugut apo Greqisë, duhet të mendohet dy herë ose t’i shtyjë planet e udhëtimit për tre ditët e ardhshme. Sepse Drejtoria e Përgjithshme Detare në Durrës ka njoftuar për përkeqësim të motit në pjesën veriore të detit Jon.
“Si rezultat i krijimit të një cikloni, me erëra të fuqishme dhe reshje shiu, nga mbrëmja e datës 16 shtator deri më 19 shtator 2020 moti në zonën e Detit Jon në veri do të përkeqësohet. Moti i përkeqësuar në jug të Italisë do të vazhdojë në drejtim të lindjes më konkretisht në zonën e Greqisë. Këto zona do të përfshihen nga era me shpejtësi deri në 60 milje në orë ku lartësia e dallgës së detit arrin në 5.5 metra dhe periudha 8 sek. Ditën e premte dhe të shtunë vendi ynë do të përfshihet nga era me drejtim veri, veri-perëndim, veri-lindje”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Detare Durrës.
Megjithëse flitet për një ciklon në detin Mesdhe, qendra e tij është larg vendit tonë. Parashikimet e sinoptikanës së gazetës “Si” tregojnë se në Jug posaçërisht në qytetin e Sarandës pas orës 12 deri në 18:00 të së enjtes periferia e ciklonit do të prek brigjet e qytetit por era nuk do të jetë e fortë. Ky ciklon do të ndryshojë kushtet e motit në të gjithë vendin. Në Jug do të ketë vranësira dhe reshje të pakta shiu. Temperaturat do të jenë më tendencë rënie në mesditë .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




