Në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaci dhe Kryeministri Ramush Haradinaj janë përplasur sërish për çështjen e korrigjimit të kufijve. Teksa zoti Thaci fliste në një konferencë për shtyp në Prishtinë, Haradinaj i përgjigjej nga Vlora, duke shfrytëzuar ndoshta qytetin simbol për historinë e shtetit shqiptar për të kundërshtuar ish-shokun e armëve e të luftës.
Në një konferencë për mediat, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se nuk kemi synim ndryshimin e kufijve, por korrigjimin e tyre. Sipas tij kjo nuk sjell frikë, përkundrazi kjo sjell mundësi të reja.
Ndërkohë, Haradinaj nga Vlora ka ritheksuar edhe një herë që kufijtë nuk duhet të preken.
“Në pamundësi që t’i përgjigjem interesit tuaj, kam menduar që do ishte më mirë që të kishim një mundësi të përbashkët komunikimi. Sa i përket asociacionit, marrëveshja e 2013-ës është e qartë. Dhe ajo e vitit 2015 është e qartë, marrëveshje që unë e mbështet. Të gjitha këto marrëveshje janë në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës. Synimi nuk është ndryshimi i kufijve, është korrigjimi i tyre, kemi 400 km kufi që duhet të saktësohet me kufirin e Serbisë. Ky proces duhet të jetë i rregullt dhe transparent për llogaridhënie, ndaj shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nëse ndodh pajtueshmëri e dyanshme, askush s’do të jetë kundër. Koha e luftës ka përfunduar, nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë autonomi. Korrigjim mund të ketë”, u shpreh Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga qyteti i Vlorës ripërsërit edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me kufijtë.
“Kufijtë e Kosovës nuk duhet të preken, janë vendosur si rezultat i luftërave. Për popujt e Ballkanit luftërat kanë qenë tragjike. Kufijtë nuk lëvizen me fjalë”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.