Duke marrë parasysh situatën në vendin tonë për sa i përket Covid-19, kanë qenë shumë ekspertë të shëndetit publik që reagojnë dhe flasin çdo ditë për përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhemi.
Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho në një status të fundit në rrjete sociale ka deklaruar se reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë për sa i përket kritikave të vazhdueshme ka qenë inekzistent.
Dasho bën pjesë në grupin e ekspertëve që gjithnjë ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për hapat e marra ndaj virusit.
Gjatë këtyre muajve të vështirë në vendin tonë kemi pasur, shumë humbje jetësh dhe shumë të infektuar, për të mos përmëndur më pas 2 rastet fatale të vetëvrasjeve.

Gjatë kësaj periudhe dimë nga Ministria e Shëndetësisë se gjatë gjithë kohës kemi një plan, për verën, për periudhën vjeshtë-dimër dhe shifra të reja çdo ditë.
Gjatë këtyre kohëve, askush nuk ka dalë dhe të thotë se nga Ministria është kryer një vëzhgim i saktë se si ka qarkulluar virusi në vendin tonë, pasi kapacitetet për të kryer këto gjëra i kemi vetëm në fjalime.
Në një status të mëparshëm të epidemiologut Ilir Alimehmeti, tregohej me statistika nga EuroMOMO se një tregues i ndikimit të Covid-19 është dhe vdekshmëria. Me anë të këtij treguesi Epidemiologu shprehej se në bazë të treguesve menaxhimi ideal i pandemisë është krejtësisht i mundur. Por në vendin tonë duket se mungon transparenca për gjëra edhe më minimale.
“Kur dëgjon të flasin përfaqësuesit e ministrisë dhe komitetit të duket sikur dëgjon përfaqësuesit e ministrisë dhe komitetit gjerman, neozelandez apo zviceran, ku gjithçka realisht shkon në vaj dhe jo përfaqësuesit e vendit ku numri i vdekjeve të reja për banor është ndër më të lartët në Europë, ku epidemia ka muaj jashtë kontrolli, ku pacientët që trajtohen në familje i blejnë vetë ilaçet, ku pacientët e shtruar i blejnë vetë respiratorët CPAP, ku familjarët i dërgojnë ushqime pacientëve në spital, etj. etj.,” shkruan Dasho.

Ndërkohë në përditësimet për shifrat vërejmë se gjatë dy javëve të fundit kemi një tjetër numër përcaktues. Numri i testimeve është nga 800 deri në 900 së bashku me spitalet private dhe numri i të infektuarve çdo ditë është nën të njëjtin interval ,120, 150, 170. Këto janë shifrat e përditshme që hasim dhe ekspertët e shëndetit publik gjatë gjithë kohës kanë theksuar se testimi është faza thelbësore e gjendjes ku jemi. Ndërsa kemi arritur edhe në një numër shqetësues të shtruarish. Në të dy spitalet Covid janë 199 pacientë të shtruar dhe mjekët “heronj” janë të ngarkuar, ndërsa kapacitetet se spitaleve duket se po kalohen.
Një tjetër pikëpyetje e madhe përpos testimeve, gjatë kësaj periudhe është edhe fakti se çfarë do bëhet me vaksinat e gripit, e kur do të nisin personat e përcaktuar ta marrin atë, apo ku mund ta marrin ata që duan të imunizohen.
Studime të ndryshme kanë treguar se vaksina e gripit gjatë kësaj periudhe mund të zvogëlojë ashpërsinë e Covid-19.
Gazeta “Si” ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë vazhdimisht për këto edhe të tjera, por nuk ka marrë asnjeherë pëgjigje.
Në këtë valë të madhe ngjarjesh, diçka thelbësore që duket qartë që mungon në menaxhimin e situatës së vendit tonë është transparenca e plotë.
Deri më tani dimë shifrat e tamponëve dhe aparaturave që kemi marrë, apo na kanë sjellë por ende nuk dimë asgjë për cilësinë e tyre.
Gjatë muajit gusht shefi i urgjencës kombëtare në një deklaratë për mediat tha se ashpërsia e virusit ka rënë, ndërkohë që gjatë muajve të verës dhe me lirimin e masave, vendi ynë pati më shumë vdekje se në periudhën e dimrit.
Por edhe arsyeja e kësaj mbetet një pikëpyetje e madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




