Pushimet në Greqi të Harry Maguire, kapiteni i Manchester United vazhdon të krijojnë debat. Mbrojtësi ka përjetuar ditë të komplikuara në Mykonos, duke qenë se është ndaluar nga policia lokale e pastaj është lëshuar pas një konflikti me turistë të tjerë. Në Angli, natyrisht, nuk flitet për tjetër gjë, e tabloidet vazhdojnë të publikojnë detaje nga çështja. Kështu, pas fjalëve të lojtarit, ato të prokurorit e dëshmitarëve të ngjarjes, vjen edhe deklarata e një prej policëve të përfshirë në këtë histori të çuditshme.

Policët grekë që kryen arrestimin janë akuzuar nga Maguire, në një intervistë për BBC, se e kanë rrahur egërsisht, duke e goditur në këmbë e duke e kërcënuar se do ti shkatërronin karrierën. Akuza që polici që ka folur për The Sun i mohon në mënyrë absolute. Gjithashtu hedh poshtë edhe versionin e mbrojtësit, që foli për tentativë dhunimi nga ana e dy turistëve shqiptarë ndaj së motrës. “Nuk është folur as për shqiptarë e as për motrën e Maguire, janë argumente që nuk janë përmendur kurrë. Nuk e trajtuam ndryshe nga sa bëjmë me çdo turist tjetër anglez të dehur”.

Kështu, administrim i zakonshëm për policët, që ndihen të fyer nga deklaratat e Maguire. “Sa herë hap gojën thotë një gënjeshtër. Çështja është e thjeshtë, një djalosh i dehur nis të zihet me grushte me dikë. Është diçka që ndodh shpesh. Por duke parë ato që ka thënë, çështje morri rrjedhë tjetër. Përse tetë policë duhet ta rrethonin pa u identifikuar? Do humbnim punën tonë …”. Një histori që vazhdon, dhe në fund të fundit, përveç 21 muajve me kusht, Maguire rrezikon të paditet nga policia greke.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




