Krahu i djathtë i Torinos ka një “pronar” të ri: Mërgim Vojvoda, i lindur më 1995, i transferuar nga Standard Liege, i cili nënshkroi kontratë 4-vjeçare me klubin ambicioz të presidentit Cairo. Historia e këtij futbollisti kalon përmes vështirësish të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe njerëzore, të kushtëzuara nga një fjalë që nuk do të donim ta dëgjonim kurrë: lufta. Në këtë rast, lufta në Kosovë, e cila në gjysmën e dytë të viteve ’90 detyroi prindërit e tij të emigronin në Gjermani. Më 5 mars 1998, filloi zyrtarisht lufta e Kosovës, me një periudhë tensioni të lartë, trazirash, vrasjesh dhe masakrash. Jeta në Gjermani nuk zgjati shumë, sepse qeveria gjermane i detyroi të kthehen në Kosovë.

“Për t’iu shpëtuar bombave, ne jetuam në pyll për disa muaj, u fshehëm midis thasëve me grurë dhe lëviznim nga njëra anë në tjetrën me traktorë. Ne luftuam kundër urisë dhe etjes, fjetëm me yjet”, – kujton Vojvoda. Për të përkeqësuar situatën tashmë në kufi, gjithashtu shërbeu burgosja e babait, vëllait dhe motrës në Republikën Çeke, një tjetër fazë pengesash të ngjashme me një fushë të minuar. Gjashtë muaj distancë dhe më pas arratisja e re, kësaj radhe për në Belgjikë: Pikërisht këtu filloi rilindja e Vojvodës si në planin njerëzor, edhe atë futbollistik.

Belgjika do të bëhej atdheu i tij, pika fikse, nga ku do të fillojë të ndërtojë reputacionin nga fillimi, duke lënë pas bombat dhe tmerrin e luftës. Ekipet e të rinjve të Standard Liège paraqiten si çlirim për të, nënshkrimi i kontratës së parë profesionale në ditëlindjen e 18-të ishte një gëzim i papërshkrueshëm, një lloj hakmarrjeje ndaj një jete që deri në atë moment nuk i kishte dhënë asgjë.

Më 2015, Vojvoda, pas një huazimi te Sint-Truiden, u transferua në Gjermani, në formë huazimi te Carl Zeiss Jena, një klub në kategorinë e katërt, që ka rol parësor në pjekurinë e tij si futbollist dhe si njeri. Rikthehet në Belgjikë, me Mouscron në “Jupiler League”. Një veprim i duhur, duke marrë parasysh që Vojvoda rezultoi të ishte një nga zbulimet e kampionatit, duke tërhequr vëmendjen e Standard Liège, i cili, disa vjet më vonë, më 2019, e merr në radhët e tij.

Një tjetër sezon i shkëlqyeshëm që i dha atij interesin e klubeve europiane të niveleve të mesme. Në Itali shfaqën interes Atalanta dhe Torino, një sprint i fituar nga “granatat”, që do t’i japin atij mundësinë për t’u shfaqur në një ligë të nivelit më të lartë si Seria A. Një ëndërr e fëmijërisë u realizua më në fund, pas sakrificave të mëdha të bëra për të fituar betejën kundër varfërisë dhe kushteve të dobëta të jetesës. Makthi i luftës nuk ekziston më, por ai nuk e harron. “Në çdo ndeshje me Kosovën imagjinoj sikur jam në luftë. Transformohem në një ushtar që mbron vendin e tij: Kosova është shtëpia ime ”.- do deklaronte Vojvoda para disa kohësh.

Burimi: Goal. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




