Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit me rastin e festës së Abaz Aliut këtë vit ishte ndryshe. Për shkak të pandemisë dhe masave mbrojtëse ndaj përhapjes së koronavirusit, pelegrinët këtë 22 gusht ishin më të paktë se vitet e tjera.
Megjithatë, besimtarët nisën kryerjen e ritualeve të përvitshme, që fillojnë në datën 20 gusht, kulmojnë më datë 22 dhe mbyllen në datën 25 gusht.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve, Edmond Brahimaj tha se janë marrë të gjitha masat mbrojtëse për mospërhapjen e Covid-19, ndërsa shtoi se njerëzit po luten për ndalimin e sëmundjes.
“Njerëzit janë në natyrë dhe nuk besoj që do të ketë infektim. Prandaj vijmë e lutemi që kjo e keqe të marrë fund njëherë e mirë” tha ai.
Numri i besimtarëve që pritet të shkojnë këtë vit në Malin e Tomorrit në të gjitha ditët e pelegrinazhit pritet që të jetë rreth 400 mijë.
Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin lutet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qingj për veten dhe familjen.
Gazeta “Si” sjell këto foto nga pelegrinazhi i këtij viti









Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








