Të shtëna me armë zjarri, kanë zgjuar të tmerruar banorët dhe pushuesit në Tushemisht këtë të shtunë. Mësohet se është qëlluar me armë me mbi 100 plumba në drejtim të hotelit "Voloreka" në Tushemisht, në pronësi të Jetmir Muçllarit.
Autorët kanë qëlluar me kallashnikov mbi 100 herë drejt makinave të parkuara, duke dëmtuar 6-7 prej tyre, si dhe xhamat e hotelit. Sipas të dhënave ky është atentati i dytë brenda javës që i bëhet pronarit të hotelit, pasi atentati i parë ka ndodhur më 1 gusht, ku shënjestër ka qenë djali i pronarit. Pronari i hotelit ka pasur konflikte të mëparshme, ku i ka shpëtuar një atentati në vitin 2013.
Menjëherë pas ngjarjes ai ka folur për media. “Ngjarja ka ndodhur në orën 4:40 min. Atentatorët kanë qëlluar disa herë në drejtim të dhomës ku flinte djali dhe dy dhomave ku ishin turistë. Nga plumbat nuk ka persona të lënduar. Fillimisht autorët qëlluan në drejtim të rojës së hotelit, duke i kërkuar që të mos lëvizte. Plumbat dëmtuan dy makinat e mia dhe të djalit dhe 4 mjete të turisteve. Jemi të kërcënuar si familje. Kërkojmë mbrojtje nga policia. Dyshoj se objektiv i atentatit të sotëm dhe atij që ndodhi para një jave ka qenë djali im. I kam denoncuar me emra autoret, por policia nuk po vepron. Kërkoj azil për dy djemtë, pasi këtu ju rrezikohet jeta”, ka thënë Muçllari.
Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes po heton për të zbardhur shkaqet e vërteta të ngjarjes që tronditi këtë mëngjes Pogradecin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.