Ngjarje

U nis për armë, por policia gjen pëllumba dhe fishekë…

“Rigersi dhe  Klodiani kanë armë në shtëpi. Sapo e shitën një pistoletë. Sot kanë pasur konflikt..”. Me këtë ankesë një zë nga ana tjetër e telefonit vuri në dijeni sallën operative se dy të rinj fshihnin e shisnin armatim nga banesa e tyre private. Në përfundim policia delegoi vetëm njërin prej tyre pranë hetuesve, ndërsa tjetri që nuk ishte parë asnjëherë duke iu shërbyer pëllumbave shpëtoi nga përgjegjësia. Kur policët mbërritën në banesën e dy vëllezërve në zonën e Selitës, kontrollet e zakonshme brenda në shtëpi i nxorën ata me duart në xhepa. Në ambientet e brendshme nuk u konstatua asnjë send i kundërligjshëm, – shkruan në procesverbal oficeri. Por të bindur se qytetari i kishte udhëzuar siç duhet dhe ju kishte përcjellë informacion të saktë policët vazhduan kontrollet e imtësishme edhe në ambientin e jashtëm. Ata nuk gjetën armë, por fishekë e që pas ekspertizës u konkluduan të saktë së bashku me dorezë metalike e karikatorë. Surpriza që i priste policët ishte pikërisht në kotecin e pëllumbave. Sipas burimeve të gazetës Si, Rigers Xh. iu dorëzua gjykatës nën akuzën e prodhim të armëve pa leje dhe municioneve. “Aty ku nuk e prisnim në çantën e shkruar ‘revision military’ ne gjetëm 46 copë fishekë si dhe fishekë luftarakë, dorezë metalike, karikator automatiku pa fishekë dhe pa sustë si dhe një kuti kartoni me mbishkrimin ‘accesori pulizia fucile’ në të cilën gjendeshin një furçë e shkopinj për pastrim armësh. Në dosjen që gazeta Si zbardh tregohet se si janë pyetur të dy të denoncuarit në telefon, por njëri prej tyre Klodiani ka deklaruar menjëherë se nuk merret me pëllumba dhe se nuk ka asnjë dijeni se çfarë kishte në kafazet ku zogjtë mbahen.

I gjeta në plehra

Por i riu, i cili i ka pasion pëllumbat këmbëngul sipas burimeve të gazetës Si se fishekët dhe gjithë çfarë u gjet në kasollen e pëllumbave i përkasin rastësisë. “I kam gjetur para disa viteve në një kosh plehrash, ishin në një dollap. Dollapin e mora për pëllumbat, dhe e përshtata si kafaz për ta. Ndërsa sendet e tjera për inerci i hodha aty pranë, në cep”. I dyshuari insiston se në vitet në vazhdim e kishte rrëmbyer rutina dhe më pas kishte harruar fare çfarë kishte gjetur dhe këtë dhuratë ua kishte lënë pa dashje pëllumbave, deri ditën kur policia vizitoi banesën e tij dhe të pëllumbave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë