Përherë e më shumë në kryeqytet, lokalet po boshatisen. Por jo nga masat anti-Covid. Atyre po u vendoset kyçi dhe në muret e tyre njoftimet njoftojnë: Jepet me qira. “Nuk e përballoj dot, sot bëra vetëm 2 mijë lekë xhiro. Së shpejti do ta lëshoj”, thotë Alberti, i cili administron një lokal lagjeje pak përpara se të dalësh në kryqëzimin e Bërrylit. Por përpara se të mbërrish në lokalin e tij, sapo lë godinën e ish-ministrisë së Shëndetësisë, dy lokale të tjerë janë mbyllur dhe ofrojnë dhënien me qira. Që prej pandemisë së Covid-19, shumë qytetarë po blejnë përmes dyqaneve-taksi ekspres kafeje, shitja e të cilave ofrohet në lagje nga distributorët. Por diçka e tillë, veç masave, ka prekur të ardhurat nga baret.
Jo vetëm lokalet
Por efektet e para të Covid-19 lidhen me largimet nga puna. Pronarët e bizneseve të vogla rezultojnë në pamundësi për t’i mbajtur punonjësit ndaj dhe po reduktojnë stafin. Një burim policor i gazetës “Si” pohoi se ky trend po vërehet përmes dhjetëra denoncimeve që qytetarët po depozitojnë jo vetëm për pagën e luftës, por së fundmi edhe për largim të padrejtë nga puna. “Qytetarët janë të dëshpëruar, ata e dinë mjaft mirë që largimi nga puna nuk është një kazus për të angazhuar uniformat blu, por sidoqoftë ne i regjistrojmë denoncimet”, deklaroi në anonimitet burimi zyrtar i gazetës “Si”. Por cilave rasteve u referohet policia?
Denoncimi: Më hoqën nga puna, dua djersën time
Në policinë e Tiranës, një grua e moshës 46-vjeçare u ankua për punëdhënësen, e cila administron një lokal. Gruaja me inicialet T.S. punonte si pastruese. “Kam mbi një vit e gjysëm që punoja aty, më hoqën nga puna menjëherë sapo kërkova pagën e luftës. U ankova tek Inspektoriati i Punës dhe më telefonoi menaxheri më tha se do më kalonin pagën e luftës dhe një pagë për lejen e zakonshme. Pastaj më thanë që m’i kishin kaluar në bankë, por aty nuk kishte gjë. Kur i telefonova financieres ajo u acarua dhe më shau “maloke”. I shkova në zyrë dhe më përzunë nga zyra”, tregon gruaja e cila pretendon se ende nuk e ka gjetur të drejtën e saj. E thirrur nga policia, financierja pretendon se ish-pastruesja e sulmoi menjëherë sapo i kishte thënë që për pagën e luftës kishte bërë aplikimin pranë Drejtorisë së Tatimeve por që ende nuk i kishin kthyer përgjigjje. “Më goditi dhe ndërhyri bashkëshorti im që e nxorri jashtë”, thotë gruaja tjetër, megjithëse ky përshkrim hidhet poshtë nga ish-punonjësja. Ajo i thotë policisë “nuk isha e qetë, kjo është ajo që ndodhi, sepse më lanë pa punë, nuk më dhanë rrogë dhe fëmijët e mi presin prej meje”. Policia e referoi çëshjen për dëmtime të tjera me dashje.
Punoja në fast-food, pronari tha “do shpërndaj vetë ushqime”
Arbër Q. është 23 vjec. Ai u punësua në fillim të janarit në një fast-food dhe punonte si shpërndarës i produkteve në banesa të ndryshme. Paguhej çdo muaj 43 mijë lekë. “Në datën 27 prill pronari A.Z. më pushoi nga puna. Fillimisht më tha që do shpërndante vetë ushqimet që porositeshin, pastaj më kërkoi që të shpërndaja me makinën e tij dhe punëtorët e tjerë. Nuk pranova”, denoncon 23-vjeçari. I riu deklaron se ish-pronari veç largimit nga puna, i detyrohet tre muaj pagë. Pronari nga ana e tij shpjegon: “E pushova se nuk është korrekt, pagat që i detyrohem do t’ia likuidoj sapo të kem mundësi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




