Politike

Meta – Bashës: Kushtetuta po cenohet rëndë, por ruaj qetësinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbërriti fiks në orën e paralajmëruar në selinë e Presidencës i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Takimi me Ilir Metën kishte në fokus paktin e 5 qershorit dhe ndryshimet e fundit kushtetuese nga PS-ja me një grup deputetësh të opozitës parlamentare.  

Nuk ka ende një njoftim zyrtar, por secila nga palët u kujdes të përcillte për mediat mesazhin e saj përmes burimeve, ku Meta ka qenë i ashpër në reagimin e tij.   

 “Do kërkoja nga ju që t’i qëndronim me besnikëri marrëveshjes së firmosur me përfaqësuesit e mazhorancës dhe të ruani qetësinë edhe në këto momente kur ka përpjekje për të cenuar rëndë  Kushtetutën e vendit në mënyrë kriminale dhe për të shkatërruar çdo lloj legjitimiteti të institucioneve që ekzistojnë në vend”, mësohet të jetë shprehur Meta.

Sipas Presidentit të Republikës, konfliktet në Shqipëri nuk janë të rastësishme sa herë ka zhvillime në rajon.

“Jini të vetëpërmbajtur...”, kërkoi ai.

“E rëndësishme është që të mos bëjmë aventurë me Kushtetutën... Kurrë nuk është parë të mohohet një marrëveshje pa u tharë boja...”, është shprehur Meta.

Nga ana e tij, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është shprehur se qeveria po ndërmerr dy akte të paprecedente

“Arritëm një marrëveshje që u përshëndet nga faktori ndërkombëtar. Koha ishte esenciale.  Duke u fshehur pas një numër deputetësh të ashtuquajtur parlamentare, kryeministri ka vendosur të  hedhë në kosh marrëveshjen dhe të ndryshojë Kushtetutën

Nëse këto ndryshime ndodhin do jemi vendi i dytë pas Rusisë që ndodhin ndryshime në kohë Covid-i. Fatura e cila do jetë shumë e rëndë do bëjmë ta paguajmë përgjegjësit...”, është shprehur Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë