Njerez

Maradona bllokon filmin e Sorrentinos, s’lejon përdorimin e imazhit të tij

Paolo Sorrentino, regjisori dhe shkrimtari i njohur italian, ka pohuar se fundi se do të kthehet në Napoli, vendlindjen e tij, ku do të xhirojë një film të ri, një romancë të bazuar në Napolin e Maradonës. Problemi është se regjisori ka hapur në një pengesë të paparashikuar, Diego Armando Maradonën, i cili e ka kundërshtuar nëpërmjet avokatit përdorimin e imazhit të tij në këtë film.

Është e pamundur që të flasësh për 40 vitet e fundit të qytetit të Napolit pa përmendur Maradonën, i cili ka qenë ëndërr për skuadrën e futbollit dhe jo vetëm. Megjithatë, në rastin konkret Maradona nuk është dakord që Sorrentino të përdorë imazhin e tij në film. Nëpërmjet profilit të tij në Tuiter, Matias Morla, avokati historik i argjentinasit, ka shpjeguar gjithçka.

Paolo Sorrentino, regjisori i njohur italian. Gazeta Si, 13 korrik 2020

“Diego Maradona nuk ka autorizuar përdorimin e imazhit të tij në këtë film. Me kolegët tanë italianë po studiojmë strategjinë ligjore për një protestë formale ndaj përdorimit të paautorizuar të një marke të regjistruar”, – shkruan Morla. Çështja është se filmi i Sorrentinos nuk do të jetë për Maradonën, por do të frymëzohet nga prania e Diegos për një histori, që është autobiografia e vetë regjisorit. Por ka mjaftuar vetëm titulli, ”Mano de Dios”, që avokati i argjentinasit të nisë “sulmin”.

Nga sa kuptohet, është çështje konkurrence, sepse projekti i Sorrentinos mund të mos jetë i vetmi që ka lidhje me Maradonën, edhe pse jo direkt. “AS” shpjegon se “Amazon Prime Video” po punon prej më shumë se një viti për “Sueño bendito”, një serial prej dy sezonesh që do të rrëfejë karrierën e Diegos, duke nisur nga Argentinos Juniors, për të vazhduar me Boka Zhuniorsin, Barcelonën, Napolin dhe Seviljen, duke prekur edhe episodet e jetës private, veset dhe problemet shëndetësore. Për këtë projekt do të jenë 3 aktorë që do të interpretojnë Maradonën, i cili e ka aprovuar xhrimin e serialit dhe ka bashkëpunuar për të.
Burimi: Gazzetta Dello Sport/Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë