Motosport

Polemika para nisjes së Formula 1, Red Bulli kundër Mercedesit

Në prag të Botërorit të ri të Formula 1, rifillon dueli mes Mercedesit dhe Red Bullit jo vetëm në pistë. Rikthehen polemikat dhe skuderia austriake e ka drejtuar menjëherë gishtin kundër Mercedesit dhe sistemit DAS, aq shumë i diskutuar gjatë testeve dimërore në Barcelonë. Pasi ky sistem u përdor në provat e lira të Çmimit të Madh të Austrisë, drejtuesit e Red Bullit vendosën të protestojnë, duke e quajtur anomali, por reklamimi i tyre është hedhur poshtë.

Sipas FIA-s, makinat e Hamilton dhe Botas kanë qenë objekt proteste nga ana e Red Bullit, për shkak se kanë thyer rregullat teknike gjatë provave të lira. Bëhet fjalë për anën aerodinamike të makinave dhe modifikimin e sistemit të drejtimit. Sistemi DAS është në qendër të denoncimit të skuderisë austriake.

Një nga makinat Mercedes. Gazeta Si, 4 korrik 2020

Në artikullin 3.8 të rregullores së FIA-s është saktësuar se është e ndaluar të bëhen modifikime sa i takon anës aerodinamike. Përfaqësuesit e Mercedesit janë thirrur në një mbledhje për të dhënë shpjegime për atë që ka ndodhur. Gjatë konferencës së zakonshme të shtypit, Kristian Horner, menaxheri i Red Bullit, tha se donte të ishte i qartë për sistemin që për sezonin e ri konsiderohet jashtë norme.

“Është një sistem inteligjent dhe i komplikuar, por rregullat janë komplekse dhe duhet kuptuar në cilën pjesë të normave futet. Për sezonin e ri është deklaruar i parregullt dhe tani pyetja që shtrohet është, nëse ka vlerë për këtë sezon apo jo”, tha Horner në konferencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë