Motosport

MekLaren, 163 mln euro hua nga Bahreini për të përballuar krizën

Prej kohësh në vështirësi për shkak të Koronavirusit, “Grupi MekLaren”, pronari i skuderisë me të njëjtin emër në Formula 1, do të marrë një hua prej 150 milionë stërlinash, rreth 163 milionë euro, nga Banka Kombëtare e Bahreinit, sipas njoftimit zyrtar të kësaj të fundit më 29 qershor.

Një ndihmë shumë e rëndësishme për një markë që po has vështirësi për momentin. Për shkak të pandemisë, kjo kompani shkurtoi pak kohë më parë 1200 vende pune nga 4 mijë punëtorë që ka në total. Nga këto shkurtime, 70 punonjës ishin pjesë e sektorit “Racing”, që përfshin edhe skuderinë e Formula 1.

Fondi sovran i Bahreinit, Mumtalakat, është aksioneri maxhoritar i grupit dhe do t’i japë një ndihmë të madhe MekLarenit, që vitet e fundit ka pasur përfitime të ulëta edhe për shkak të rezultateve të dobëta në kampionat. MekLaren është në krizë, edhe pse është një nga 5 skuderitë që paguhen nga Formula 1, pavarësisht se bëhet fjalë për përfitime shumë më të ulëta se tre skuderitë big: Ferrari, Red Bull dhe Mercedes. Vendi i 9-të në klasifikimin e konstruktorëve në 2015-ën dhe 2017-ën, kur makinat kishin motor Honda, tradhtuan pritshmëritë dhe shkaktuan zemërim te piloti Fernando Alonso dhe administrator i skuderisë, Zak Braun.

Me kalimin te Renoja në vitin 2018, skdueria nga Uoking u përmirësua dhe shkoi deri në vend të 6-të në kampionat. Përmirësime të konfirmuara edhe vitin e kaluar, pas afrimit të dy pilotëve të rinj, me vendin e 4-t në klasifikimin e konstruktorëve dhe vendin e 6-të në atë të pilotëve nga Karlos Sainz Jr., i cili do të kalojë te Ferrari në vitin 2021. Shoku i tij i skuadrës, Lando Norris, në debutimin në Formula 1 më i vogël se 20 vjeç, ishte protagonist i një sezoni shumë të mirë, i mbyllur në vend të 11-të.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë