Kryeministri Edi Rama nisi këtë të hënë një vizitë dyditore me agjendë të ngjeshur me takime me të gjithë udhëheqësit dhe spektrin politik të Kosovës, ku kryetema e diskutimeve pritet që të jenë zhvillimet pas aktakuzës për krime lufte të ngritur nga gjykata speciale ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë,e cila praktikën e akuzës publike pa akt-akuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike e para tyre”, shkruan Rama në Twitter.
Rama i ka nisur takimet me kreun e Nismës, Fatmir Limaj rreth orës 13:00. Dy orë më vonë është parashikuar takimi me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Në orën 16:00, Rama do të ketë një takim me Kryeministrin Abdullah Hoti, që sipas agjendës parashikohet që të zgjasë rreth dy orë. Në orën 18:00 Rama do të takohet me kreun e PDK-së, Kadri Veseli dhe në mbrëmje me Presidentin Hashim Thaçi, para se ky i fundit të dalë në një deklaratë publike të parashikuar për në orën 20:00, e para pas publikimit të aktakuzës ndaj tij.
Me këto takime mbyllet dita e parë e vizitës së Ramës në Prishtinë, ndërsa të martën konfirmohet deri më tani vetëm një takim me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe një konferencë për shtyp dhe ajo që vihet re deri më tani është mungesa e një takimi me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.
Gjatë javës së kaluar, Kryeministri Edi Rama tha se me ngritjen e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve u barazua viktima me agresorin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.