Ne rrjet

Ekspertët: Kosova është në telashe, Thaçi e Veseli të dorëhiqen si Haradinaj

Përse u bënë publike akuzat për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe çfarë do të thotë kjo për negociatat e paqes me Serbinë?

Ekspertët ndërkombëtarë janë të bindur se aktakuzat ndaj presidentit dëmtojnë jo vetëm zotin Thaçi, por edhe shtetin e Kosovës. Duke paralajmëruar Prishtinën se ndodhet përballë një tërmeti politik, ata i bëjnë thirrje politikanëve të Kosovës të mendojnë me kujdes hapat e ardhshëm.

Sipas analistit të njohur të Ballkanit Perëndimor Daniel Serwer, nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli nuk japin dorëheqje, Kosova do të përballet me sfida të tjerë. Eksperti amerikan është i bindur se Beogradi ka mbetur shumë i lumtur me këtë aktakuzë, pasi kjo akuzë do t’i japë Serbisë përparësi në negociatat e paqes të ndërmjetësuara nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara.

“Beogradi mund të përpiqet të rihapë çështjen e kompromisit territorial me Kosovën, duke pretenduar se aktakuza vërteton se serbët nuk duhet të jetojnë në një vend ku mbizotërohet nga armiqtë kriminelë. Pra, aktakuza nuk është vetëm çështje personale për Thaçin e Veselin, por është institucionale dhe ndërkombëtare. Kosova është në telashe”, thotë Serwer.

Sipas tij, “as Europa e as Amerika nuk do të kenë interesin që të takohen apo të ndihmojnë politikanë të cilët janë nën akuza dhe rezultati sipas tij, do të jetë izolimi ndërkombëtar”.

Daniel Serwer

“Kjo gjithashtu është një provë për Thaçin dhe Veselin. Nëse konfirmohet nga gjyqtari i Gjykatës Speciale, ata të dy duhet të japin dorëheqje nga pozitat e tyre dhe të shkojnë në Hagë për t’u mbrojtur, ashtu siç ka bërë ish-kryeministri Haradinaj disa herë. Dorëheqjet e tyre do të bënin ndryshime në politikën e Kosovës. Kuvendi duhet të zëvendësojë Thaçin, gjë e cila do të ishte një sfidë e madhe, pas kësaj aktakuze. Zëvendësimi i një kryetari të një partie politike do të ishte shumë më pak i diskutueshëm, por gjithsesi do të donte peshë”, thotë Serëer.

Sipas ekspertit amerikan, është e vështirë të paramendohet ndonjë gjë pozitive e këtij lloj konfrontimi. “Perspektiva për investime ndërkombëtare, bashkëpunimi më NATO-n, udhëtimi pa viza në BE dhe aspiratat e tjera do të dëmtohen”, thotë Serwer.

Serwer mes tjerash thotë se është befasuar me këtë aktakuzë, pasi nuk beson që ekzistojnë prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza. Por sipas ekspertit të njohur, takimi i paralajmëruar në Uashington ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, duhet të vazhdojë, pasi Kosova mund të prezantohet nga kryeministri Avdullah Hoti.

Por Michael Carpenter ish-zyrtar i Pentagonit, i cili ka qenë përgjegjës për Ballkanin, ka thënë se aktakuza e paraqitur nga Prokuroria Speciale ndaj Thaçi është katastrofike për pozicionin e Kosovës në raport me dialogun me Serbisë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter tha se tanimë Kosova duhet të bëjë një hap pas nga dialogu dhe të rrijë në pritje të asaj që do të vendosë administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Kjo është një aktakuzë shumë serioze. Natyrisht se Thaçi, Veseli dhe të tjerët janë të pafajshëm deri në momentin që shpallen fajtorë për akuzat”, thotë ai. “Pres që të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në dialog për faktin e thjeshtë se presidenti Thaçi e ka udhëhequr për shumë vite”.

Duke folur për takimin në Shtëpinë e Bardhë, ai thotë se nuk është çudi që u anulua, pasi BE nuk e ka kapërdirë lehtë faktin që Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndjekin një proces të ndarë nga Brukseli

Bodo Weber

“Unë e shoh këtë si një qasje të gabuar të strategjisë së kësaj administrate, sepse në tre vitet e fundit ka denigruar vazhdimisht Bashkimin Europian. Për paqen dhe pajtimin në Ballkan duhet të ketë një projekt të përbashkët SHBA-BE”, thotë ish-zyrtari i Pentagonit. “Me emërimin e Richard Grenellit në pozitën e të dërguarit në dialog, është menduar të arrihet një marrëveshje e shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Kjo është edhe arsyeja përse Europa është përjashtuar”.

I pyetur se ku mund ta çojë dialogun largimi i zotit Thaçi nga tryeza, Carpenter shprehet se: Unë mendoj se pas aktakuzës së Hagës, dialogu mund të rifillojë përmes imponimeve të ndryshme. Richard Grenell (i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë) ka vendosur raportet e tij me presidentin Thaçin dhe presidentin e Serbisë, Vuçiç. Tanimë sipas tij, Avdullah Hoti merr udhëheqjen e dialogun, pasi Thaçi mund të ketë arritur një draft-marrëveshje me Serbinë.

Ndërkohë, Bodo Weber, analist nga Berlini dhe njohës i mirë i zhvillimeve politike në Ballkan, tha se publikimi i aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj presidentit Thaçi, ka qenë sa e “pritur aq edhe e papritur”. Ai thotë se të gjitha përpjekjet e Thaçit për marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, “kanë qenë treguesi më i mirë se ai do të akuzohej”.

Weber tha se vendimi i Prokurorisë Speciale për të publikuar aktakuzën pak para takimit në Uashington, konfirmon edhe informacionet se Thaçi ka arritur një marrëveshje për të cilën nuk e ka informuar publikun.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë