Ngjarje

Kthehen grabitësit e grave

Nuk kisha bukë për të ngrënë… ky është justifikimi i një hajduti që u kap në flagrancë në afërsi të liqenit. Ai belbëzoi këtë frazë mes thirrjeve të disa qytetarëve që po vraponin dhe të qarave të dy grave që ishin terrorizuar nga veprimet e tij. Por, ky pretendim nuk ishte aspak lehtësues për të, pasi hajduti sapo i kishte rrëmbyer nga qafa një gruaje varësen e çmuar për të.

I prangosuri i shërbimeve të policisë quhet E. Z, i moshës 40 vjeç. Këto detaje përshkruhen në procesverbalin e komisariatit numër një, ku jepen detaje se si u arrestua hajduti që njëkohësisht këmbëngul se ishte shtyrë nga uria për ta ndërmarrë atë veprim kriminal. Një burim zyrtar i gazetës “Si” tregon se E.Z i qëndroi këtij versioni edhe kur u pyet në komisariat në prani të një avokati të caktuar falas nga shteti. “Po unë isha, unë ia këputa varësen. E bëra këtë gjë, pasi nuk kisha asgjë për të ngrënë në shtëpi. Jam i penduar”. Shërbimet policore referojnë në raportimin e ngjarjes se vjedhja e gruas u krye rreth orës 21.10 minuta në afërsi të kodrave të liqenit, pranë kishës.

Gruaja me inicialet E.G e pyetur për identitetin e hajdutit rrëfen  frikën që ju shkaktua, por shtoi edhe detaje të tjera, të tre djemve të panjohur që kur e kishin dëgjuar duke qarë, kishin ndërprerë ushtrimet fizike dhe ishin vënë pas hajdutit. Siç rezulton edhe në dosje, pikërisht dy qytetarët e shtrinë të parët përtokë hajdutin derisa aty mbërriti policia që i vendosi në duar prangat. E. G veç falënderimit për ta shton “dola nga liqeni bashkë me shoqen time për shëtitje. Kur po ktheheshim në shtëpi, një person që po vinte përballë nesh, u afrua  pranë meje. Më këputi me forcë varësen nga qafa”. Fillimisht u tremba, por më pas u vura edhe unë në ndjekje të tij. Pashë se njësoj vepruan edhe tre djem të tjerë. Kur mbërrita, konstatova se aty gjendeshin edhe shërbimet e policisë.

Pas arrestimit, oficerët kanë shkuar edhe në banesën e tij, në pallatet e ish-komunales. Ai jetonte në varfëri të tejskajshme, tregoi për gazetën “Si” një nga agjentët e komisariatit numër një. Por kjo nuk e justifikon veprimin e tij, ndaj vepra për të cilën u referua në prokurori është ajo e vjedhjes me dhunë. Ndonëse i dyshuari këmbënguli se kishte kërkuar shumë herë punë të çfarëdoshme, askush nuk ia kishte hapur derën. “Askush nuk më dha  një mundësi, dhe atë natë po ecja nëpër Tiranë e po vrisja mendjen si do veproja”. Në procesverbal thuhet më tej se në shtëpinë e Zelisë nuk u zbulua asnjë send i paligjshëm. Ndërkohë që ai u referua për hetime në vazhdim për vjedhje me dhunë sipas nenit 139 të Kodit Penal.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “ Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë