Propozim i SI

Të jetosh pa hundë dhe me një plagë të madhe në fytyrë e shpirt

Të jetosh me një sëmundje që të përndjek nuk është aspak e lehtë. E këtë gjë e di shumë mirë Hasani, një burrë 55-vjeçar nga Tirana që ka vuajtur prej disa vitesh nga një tumor që e shpërfytyroi.
“Tani më duket sikur kam shpëtuar,” tregon Hasani për Gazetën “Si”, i cili është përballur me një sëmundje shumë të vështirë. Hasani ka përjetuar një tumor që i ka prekur zonën e hundës. Ai i thotë Gazetës “Si” se fillimisht nuk dinte se çfarë po ndodhte me të.

“Unë kisha një pikë në hundë nga ana e tjetër e hundës dhe jo nga ishte plaga. E operova atë në QSUT dhe isha mirë në një farë kohe, pastaj ajo pikë u shfaq përsëri nga ana tjetër e hundës dhe të them të drejtën neglizhova, e lashë veten pasdore edhe nga pamundësia ekonomike, por edhe se mendova që nuk do të ishte gjë dhe do të kalonte me një operim si herën tjetër,” tregon 55-vjeçari, i cili ka pasur një jetë të kufizuar për shkak të problemit që kishte.

Gentian Zikaj

Problemin e Hasanit na e shpjegon më mirë edhe mjeku Gentian Zikaj, në Shërbimin e Djegie Plastike në QSUT.
Mjeku tregon se Hasani në këtë shërim ka kryer 3 operacione. Mjeku thotës se tumori ka arritur t’i gërryer hundën, një pjesë të faqes dhe ishte duke i prekur syrin e majtë.
“Pacienti ka ardhur për një konsultë në Shërbimin e Diegie Plastikës, pasi e kanë orientuar këtu. Duke qenë se ka qenë një pjesë prekte edhe struktura të kafkës, u mendua që të thirrej edhe një neurokirurg dhe bashkëpunimi mes të dyve bëri të mundur që të hiqej tumori dhe të pastrohej pjesa deri në afërsi me sinuset e kokës, të pastroheshin kockat ku ishte tumori, indet e buta dhe njëkohësisht u bë edhe heqja e syrit që ishte prekur nga procesi tumoral, të cilin nuk mund ta shpëtonim sepse pacienti kishte bërë edhe rreze për të zhdukur sëmundjen,” i tregon Zikaj Gazetës.

Hasani tregon se pas operimit fillestar ka vijuar të kryejë edhe trajtime të tjera për heqjen e kancerit.
“Kam bërë edhe dy operacione të tjera në spitale private, madje edhe trajtime me kimioterapi për të zhdukur tumorin, por nuk gjeta zgjidhje. Unë jetoja me një maskë në fytyrë pasi kisha turp të tregoja pjesën e fytyrës, nuk doja të më shihte askush sepse më shikonin çuditshëm e ndjehesha shumë keq,” tregon Hasani i cili tani nuk e heq buzëqeshjen nga fytyra.


Hasani kishte jetuar prej pesë vitesh me një plagë në fytyrë që shpeshherë infektohej, vinte erë dhe kishte sekrecione të dukshme. Ai i thotë Gazetës “Si” se për një kohë shumë të gjatë nuk mbante mend të kishte shkuar nëpër festa familjare apo të kishte dalë në rrugë pa pasur asnjë koment nga të tjerët që e bënte të ndjehej keq.
Mjeku Zikaj tregon se tumori kishte dalë jashtë kontrollit dhe kishte destrukturuar pjesën e hundës.
“Ky është një operacion multidisiplinor dhe shumëplanësh. Patjetër që ishte i vështirë por kur dy grup klinikash bashkëpunojnë bëhet i lehtë. Këto lloj tumoresh nuk metasazojnë dhe vazhdojnë dhe gërryejnë deri sa të gjejnë një strukturë, një vazë gjaku që shkon në rrugët e frymëmarrjes ose në tru që kuptohet që do të ishte fatale. Tashmë pacienti jo vetëm ka një mbijetesë të mirë por dhe nga ana funksionale është bërë përmirësimi i cilësisë së jetës. Kur ke një tumor në pjesën e fytyrës një kirurg duhet të mendojë tre gjëra, të heqë tumorin, të ruajë sa më shumë funksionalitetin që nënkupton frymëmarrjen, lëvizjen e gojës, lëvizjen e syrit e të tjera dhe të mundohet të bëhet sa më shumë estetik nga ana klasike, pa shkelur parimet e onkologjisë,” thotë mjeku.

Hasani tregon se me pamjen e re i ka ndryshuar jeta. Ai tregon se ka edhe një operacion tjetër për të kryer, për të rregulluar edhe më shumë pamjen, por deri më tani është shumë i kënaqur pasi përveç pamjes së përmirësuar, ai mund të marrë frymë me hundë tani.
Tani mund të marrë frymë lirisht, në të gjitha kuptimet. “Më duket sikur më ka shpëtuar jeta dhe e kam kuptuar shumë mirë se sa i rëndësishëm është shëndeti. Mjekët më kanë ndihmuar shumë dhe i falënderoj pa masë që më kanë bërë të ndjehem përsëri si djalë i ri,” tregon Hasani, i cili tani i është rikthyer normalitetit.
*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë