Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar për herë të parë pas rastit të 15-vjeçares së përdhunuar nga roja i shkollës në zonën e Babrrusë në Tiranë.
Ajo përgëzon nxënësit që gjejnë kurajon të denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre, por një pjesë të “fajit” ja lë kulturës patriarkale që mundëson dhunën ndaj vajzave dhe grave dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithëve për ta ndryshuar këtë kulturë.
“Shpesh viktimat nuk denoncojnë dhunën që kanë përjetuar sepse ndjehen në faj, apo në turp për atë se çfarë i ka ndodhur. Por faji dhe turpi i takojnë dhunuesit dhe abuzuesit”, deklaroi ajo.
Shahini qortoi edhe mediat për "mungesë ndjeshmërie në raportimin e rastit"
“Do të dëshiroja që media të raportonte në mënyrë më të mirë dhe të ndjeshme rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave. një nxënëse që kishte pësuar një abuzim u raportua nga një gazetar, që bënte pyetje të gabuara, duke lënë përshtypjen a thua është viktima ajo që duhej të jepte llogari”, deklaroi ministrja përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.
Ministrja tha se do të dyfishohet numri i psikologëve dhe punonjësve socialë nëpër shkolla përmes riorganizimit të stafit arsimor. Ata do të trajnohen për çështje të ndjeshme si ngacmimi dhe abuzimi seksual.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.