Nga Luljeta Nelallari – Edhe pse bota kulturore ka ngrirë për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit do të zhvillojë edicionin e tretë në Tiranë.
Punimet në pikturë të artistëve të njohur nga bota dhe shqiptarë do të vijnë për publikun në muajin qershor, në datat 16-25 qershor në Muzeun Historik Kombëtar. Punët në akuarel që do të prezantohen këtë vit janë nga artistë nga shtete si India, Italia, Kina, Turqia, Urugai, Koreja e Jugut, Kosova, Shqipëria, etj.
Piktori i njohur, Helidon Haliti, njëkohësisht president i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve për Shqipërinë, thotë për gazetën “Si” se festivali tashmë është bërë një rit, i cili zhvillohet njëherë në dy vjet dhe njëherë në dy vjet zhvillohet bienalja e akuarelit.
“Festivalet mbahen në pranverë për arsye se artistët vijnë dhe pikturojnë një pjesë të Shqipërisë apo sipas konceptit akuarial dhe shumica e festivaleve u anuluan, festivali i Italisë, p.sh i cili bëhet diku një javë para nesh është ndër më të mëdhenjtë në botë, ku 1 mijë artistë marrin pjesë, shkojnë në Itali është bërë si një vend pelegrinazhi dhe shumica e tyre duke pasur parasysh që ekspozimi i festivalit tonë gjithmonë ka qenë më kualitativ një pjesë e tyre vijnë në Shqipëri dhe është bërë si rit”, shprehet Haliti.
Mjeshtri i akuarelit, Haliti thotë se risia më e madhe e këtij viti është vazhdimësia dhe përsëritja e një festivali në një kohë pandemie nga Covid-19.
“Ne e dimë se sa e vështirë është të mbash gjallë një festival, një ekspozitë, një traditë, është shumë më e vështirë sesa të krijosh një të re. Ne zakonisht krijojmë shumë shpejt dhe harrojmë aq shumë shpejt që traditat t’i mbajmë gjallë ose më saktë që një festival ose një aktivitet të kthehet si një traditë e përvitshme ku secili artist të gjejë vetveten dhe aq më tepër të ndjekë gjithë këtë pelegrinazh që në njëfarë mënyre ne bëjmë dhe sivjet padiskutim kjo kishte vështirësitë e veta”, thotë Haliti për gazetën “Si”.
Punët e kësaj ekspozite janë ekspozuar fizikisht në Galerinë e “VizArt”, e cila është shfaqur edhe në Livestream dhe në të gjitha rrjetet sociale.
Sipas kuratorit Helidon Haliti ky festival e bën Shqipërinë të jetë në vëmendjen e artistëve nga e gjithë bota.
“Risia më e madhe që ne sjellim është që të gjitha fjalët që ne kemi thënë përveçse ne e kemi Shqipërinë shumë të njohur me këto ekspozita, ne dërgojmë dhe shumë artistë në bienale të ndryshme që mbahen në të gjithë botën, pra organizojmë piktorët shqiptarë të cilët punojnë në akuarel”, vijon më tej ai.
Haliti thekson se risia më absolute është se festivali i këtij viti që do të zhvillojë edicionin e tretë do të sjellë dhe ekspozitën e vizatimit shqiptar, me punë nga artistë të njohur. Në një nga sallat e muzeut do të jenë 50 mjeshtrat e vizatimit shqiptar, duke nisur me vizatime nga Ibrahim Kodra, Ismail Lulani, Guri Madhi, Gazmend Leka, Edi Hila, Ardian Isufi, Mikel Temo, etj.

“Risia më absolute e festivalit është ekspozita e dytë, pasi festivali ëhstë i ndërtuar në formën e dy ekspozitave, ekspozita e parë do të marrin pjesë 50 mjeshtra nga e gjithë bota me punimet që kanë dërguar me tematikë Shqipërinë.
Pjesa tjetër është një ekspozitë paralele në një sallë tjetër ku për shkak të mediumit të akuarelit, i cili fillon si një medium i vizatimit pra është çështje e konceptimit dhe e radhës, fillimisht ne vizatojmë dhe më pas pikturojmë në akuarel. Unë ftoj si kurator i kësaj ekspozite 50 mjeshtra të vizatimit shqiptar. E veçanta e kësaj ekspozite është se tematika janë vizatime të viteve para ‘90 dhe pas ‘90 pra një lloj krahasimi të të njëjtit medium në dy kohë të ndryshme dhe unë mendoj që botimi i një katalogu përkatës që shoqëron ekspozitën do të japi vërtet pikërisht atë që ne e quajmë gjurmë e lënë në mermer, jo në rërë”, shprehet kuratori.
Kjo ekspozitë do të mbahet mend sepse përveçse do të ekspozohet në muzeumet shqiptare, do të botohet në katalogje dhe kjo rrit seriozitetin dhe mjetin e të lënit gjurmë, nga një gjurmë kalimtare te një gjurmë e përhershme.
Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



