Motosport

Zyrtare, Sebastian Vetel largohet nga Ferrari pas 5 vjetësh

Në fund të vitit 2020, rrugët e Ferrarit dhe pilotit Sebastian Vetel do të ndahen. Lajmi është zyrtarizuar nga skuderia italiane mëngjesin e sotëm me një njoftim, ku thuhet se palët kanë vendosur të mos e rinovojnë kontratën.

Matia Binoto, një nga drejtuesit kryesorë të Ferrarit, është shprehur: “E kemi marrë vendimin bashkë me Sebastianin dhe mendojmë se është zgjidhja më e mirë për të dyja palët. Nuk ishte një hap i lehtë, duke marrë në konsideratë vlerat e tij si person dhe si pilot. Nuk ka një motiv specifik që ka sjellë këtë vendim, thjesht kemi konstatuar se kishte ardhur momenti që ta vazhdonin udhëtimin tonë në rrugë të ndryshme. Në emër të Ferrarit, e falënderoj Sebastianin për profesionalizmin dhe humanizmin që ka treguar në këto 5 vjet, ku kemi ndarë shumë momente të rëndësishme. Nuk kemi arritur të fitojmë një titull, që për të do të ishte i pesti, por jemi të bindur se në këtë sezon anormal të 2020-ës të përjetojmë kënaqësi të tjera”.

Sebastian Vetel, piloti gjerman i Ferrarit. Gazeta Si, 12 maj 2020

Ka folur për vendimin e tij edhe piloti gjerman. “Bashkëpunimi im me Ferrarin do të mbyllet në fund të këtij viti. Në këtë sport, për të arritur maksimumin, duhet të jesh në sintoni perfekte dhe ne kemi konstatuar se nuk ekziston më vullneti i përbashkët për të vazhduar përtej 2020-ës. Në këtë vendim të përbashkët nuk ka të bëjë fare ana financiare, nuk arsyetoj mbi bazën ekonomike në raste të tilla. Ajo që ka ndodhur në muajt e fundit na ka bërë të gjithëve të reflektojmë për përparësitë që kemi në jetë. Kemi nevojë për një qasje tjetër pas kësaj situate. Edhe unë kam marrë kohën e nevojshme për të reflektuar se çfarë është esenciale për të ardhmen time.

Ferrari ka një vend special në Formulën 1 dhe uroj të arrijë gjithë suksesin që meriton. Dua të falënderoj gjithë familjen e Ferrarit, veçanërisht tifozët që ka në gjithë botën për mbështetjen që më kanë dhënë këto vite. Objektivi im është që ta mbyll në mënyrën më të mirë këtë histori të gjatë me Ferrarin, duke dashur të ndaj ende momente të bukura si në të kaluarën”, – është shprehur Vetel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë