Koronavirusi ka pezulluar pothuajse të gjitha aktivitetet në botë, përfshirë edhe sportin. Formula 1 nuk bën përjashtim, me Grand Prix të Australisë të anuluar në minutën e fundit për shkak të rrezikut të lartë të infektimit midis pilotëve dhe stafit (3 të infektuar te McLaren dhe Haas) dhe fillimi i kampionatit është shtyrë, për momentin, më 14 qershor në Kanada, në pistën e qytetit të Montrealit, edhe pse kushtet aktuale mund të ndryshojnë nga një moment në tjetrin, qoftë për mirë ose për keq.
Cila është zgjidhja? Si mund të kapërcehet ky problem, që rrezikon të dëmtojë tërë markën F1 për shkak të mosaktivitetit? Një zgjidhje e pjesshme është gjetur, që me siguri do të hapë jo pak debate në të ardhmen: zhvillimi i garave virtuale me anë të lojërave elektronike, saktësisht F1 2019, prodhuar nga Codemasters.

Fushëveprimi i të ashtuquajturave Esports është shumë i larmishëm, dhe Formula 1 virtual paraqet vetëm njërën nga aspektet e shumta të këtyre disiplinave që kapin shifrat marramendëse, në finale të kampionatit botëror 2016 të League of Legends (lojë shumë e famshme online), ekipi fitues, koreanët e SK Telecom T1, u kthye në shtëpi me 2 milion dollarë. Përveç paragjykimeve, është gjithashtu një “profesion” i vështirë, i cili kërkon shumë orë stërvitje në ditë, ku lojtarët e ndryshëm ndonjëherë duhet të duhet të përgatiten në mënyrë adekuate edhe në nivelin fizik, si në rastin e Brendon Leigh, kampionit të parë virtual në botë në Formula 1 2017 (ri konfirmuar në 2018), i cili pasi u punësua nga Mercedes për të garuar në F1 Esports Series, iu desh të nënshtrohej një diete dhe ushtrime të ngjashme me ato të pilotëve të vërtetë.
Duke parë rëndësinë e eSports u vendos që të shfrytëzohet ky potencial në mënyrë që të krijohen një seri garash virtuale në atë mënyrë që të kompensohet mungesa e atyre reale dhe më 5 Prill u zhvillua Grand Prix e Australisë në dy kategori: për pilotët profesionistë “të vërtetë” (ku morën pjesë Charles Leclerc, Alexander Albon, Lando Norris, George Russell, Stoffel Vandoorne dhe Antonio Giovinazzi), dhe tjetra për lojtarët e eSports.
Të dyja kompeticionet rezultuan shumë interesante, me Leclerc që siguroi një fitore mjaft të lehtë në kategorinë e tij, ndërsa ajo e shoferëve virtualë pa të triumfonte danezin Frederik Rasmussen, nën kontratë me Red Bull Racing Esports. Duke qenë se po flasim për një botë virtuale, natyrisht, nuk është 100% reale: lojtarët e ndryshëm ishin në gjendje të bënin disa manovra që në realitet do të përktheheshin me aksidente të rënda dhe dënime, por përpos kësaj rezultati ishte i kënaqshëm dhe interesant.
A mund të jetë eSports një zëvendësues i Formula 1 ose një imitim i zbehtë të tij? Me shumë mundësi që jo, pasi është një sport virtual, thellësisht i ndryshëm. Por, pas kësaj përvoje, e cila pritet të zgjasë të paktën deri në qershor, Formula 1 dhe eSports do të dalin me një imazh tjetër. Edhe publiku , përveç profesionistëve, do të jetë në gjendje të eliminojë mosbesimin ndaj botës virtuale. Formula 1 ka zgjedhur mënyrën më të mirë për të përfituar nga karantina dhe tani ka mundësinë të promovojë një nga aspektet e saj që ka të ngjarë të përfshijë më shumë publikun, duke hapur rrugën për një epokë të re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




