Kristan J. po tregonte barsoleta poshtë pallatit me shokët e tij, kur sirenat e policisë dhe më pas patrullat që u afruan bënë që secili të shpërndahet menjëherë. Të rinjtë, më i rrituri Kristiani i moshës 19 vjeç, vrapuan sa mundën pasi gjendeshin jashtë shtëpisë përtej fashës së lejuar orare. Por teksa të tjerët më pas ndaluan, kur njëri nga efektivët e policisë e kapi Kristianin në rrugën “Pandi Dardha”, në afërsi të ambulancës, ai filloi të kundërshtojë patrullën. “Ai nuk pranoi të identifikohet, nuk iu përgjigj policisë dhe nuk u dha kartën e identitetit”, shkruan në raportin e shërbimi të oficerëve të policisë A.M., V.G., F.H., A.L. dhe E.N. Të pesë oficerët po patrullonin në një kënd lojërash kur kanë vërejtur grumbullimin e të rinjve. Por deri këtu gjithçka i ngjan një dite rutinë të policisë në funksion të masave të shtuara në kërkim të atyre që thyejnë karantinimin. Siç referohet në Prokurori, 19-vjeçari ka filluar të kundërshtojë policinë, një veprim ky që është vënë re së fundmi shpesh edhe te shumë qytetarë të tjerë. Ndonëse në vijim të raport-shërbimit thuhet se të riut nuk iu gjet me vete asnjë send i kundërligjshëm, ai u arrestua për kundërshtim të forcave të rendit. Megjithatë, në gjykatë, me kërkesë të prokurorit i riu u la detyrim paraqitje, pasi siç pretendoi 19-vjeçari, ky veprim i dhunshëm ndaj policisë kishte ndodhur spontanisht pasi ata po këmbëngulnin që të identifikohej e t’u jepte atyre një dokument identifikimi, sipas të cilit më tej do vendosej edhe gjoba për thyerje karantine në vlerën e 10 mijë lekëve.
Vëllai i Kristianit që gjendej me të dhe që iu bind policisë deklaron: “Ai u tremb, pasi këta punonjës policie ishin pa uniformë. Ata na thanë fillimisht të iknim në shtëpi. Pastaj kur ne u shpërndamë ata u vendosën në ndjekje.

Përse qytetarët po e kundërshtojnë policinë
Si Kristiani, në të njëjtën ditë, dy vëllezër u arrestuan për të njëjtën vepër. “Ne po ktheheshim nga puna, nuk deshëm t’ia jepnim kartën policisë, ishim të stresuar ndaj dhe filluam të goditemi me ta. Por njëri nga policët kërkoi përforcime dhe aty pashë që gjendja u bë keq për ne”, tha në polici njëri nga vëllezërit S. Gj, i cili provoi prangat dhe veç kësaj edhe gjobën. Siç u provua më pas, në të vërtetë dy të rinjtë e përdorën justifikimin e punës si një motiv për t’i shpëtuar policisë, pasi realisht ata prej kohësh janë të papunë dhe faktikisht kishin dalë për të vrapuar.
Një specialist i Departamentit të Rendit pohon për Gazetën “Si” se “gjatë pandemisë qytetarët acarohen dhe agravohen kur u afrohet një patrullë rendi”. Jo sepse kanë diçka kundër policisë, por ata refuzojnë të identifikohen dhe të japin një dokument identifikimi, mbi të cilin pastaj vendoset edhe gjoba.
“Kemi kuptuar që shumë prej tyre nuk kanë mundësi ekonomike ta paguajnë më pas, ndaj dhe acarohen. Edhe rasti që ju sollët i 19-vjeçarit është i tillë. Ai jeton me prindërit në një shtëpi me qira në “Don Bosko” dhe gjobitja do t’i sillte atij një sherr tjetër me prindërit, ndaj kur kemi analizuar më pas, kemi parë që nga mbi pesë mijë qytetarë të gjobitur për shkelje fashe, 80 përqind e tyre janë në kushte ekonomike jo të mira. Shumë prej tyre e presin në heshtje dhe në miratim gjobën 10 mijë lekëshe, ndonëse gjatë firmosjes së saj, asnjëri nuk shkruan jam dakord me gjobën. Ka pasur komente të natyrës “prije prije se s’kam me çfarë ta paguaj”. Më pas janë edhe shembujt kur ata ose vrapojnë dhe tentojnë t’i ikin policisë dhe kur kapen, përplasen me oficerët, ose refuzojnë gjobën, ose nuk japin letërnjoftimin. Duke refuzuar gjobën, ata përplasen me oficerët, që normalisht është vepër penale të kundërshtosh policinë”, thotë zyrtari i Departamentit të Rendit.

Në të gjithë vendin janë arrestuar në kushtet e flagrancës për kundërshtim të forcave të policisë gjatë karantinimit 32 shtetas, që të gjithë të lënë të lirë. I vetmi që ka përfunduar në burg, por për shkaqe të tjera, është i shumëkërkuari Orgest Bilali, i cili pasi kundërshtoi policinë dhe nuk qëndroi kur iu bë apel, nxori armën dhe pikërisht aty u qëllua nga oficeri i forcave “Shqiponja”. Më pas rezuloi se 30-vjeçari ishte i shumëkërkuar dhe kundërshtimi i policisë u kthye në një vepër më të rëndë, ajo e “vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




