Motosport

Formula 1, ish-presidenti Maks Moslei: Sezoni 2020 duhet të anulohet

Një zgjidhje e vështirë: të anulohet sezoni 2020 i Formulës 1, për të rinisur direkt me 2021-shin. Ky është mendimi i ish-presidentit të FIA-s (Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit), Maks Moslei, në lidhje me momentin e vështirë që po kalon jo vetëm bota e motosportit përballë emergjencës së koronavirusit.

“Pritja rrezikon t’i përkeqësojë gjërat, nuk ka asnjë qartësi për të pasur ndonjë avantazh nga kjo situatë, – thekson Moslei për “Dpa”. – Nuk ka asnjë garanci që Formula 1 mund të fillojë në muajin korrik, përkundrazi, duket e pamundur kjo gjë. Duke anuluar sezonin, skuadrat dhe organizatorët e garave do të jenë më të qartë dhe do të planifikojnë gjithçka si duhet. Mund të shfrytëzohet ky vit pushimi për të krijuar një bazë financiare shumë më solide për të ardhmen. Përderisa nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në nivel global me pandeminë, nuk është e mundur të bëjmë plane për Formulën 1 dhe kalendarin e saj”.

Maks Moslei, ish-presidenti i FIA-s. Gazeta Si, 16 prill 2020

Kampionati i Formulës 1 duhej të kishte nisur më 15 mars me “Çmimin e Madh” të Australisë, por pandemia e koronavirusit shty jo vetëm atë garë, por edhe disa të tjera më pas me radhë. Për momentin, nuk ka një datë se kur mund të zhvillohet gara e parë për këtë sezon dhe nuk përjashtohet edhe mundësia që ai të anulohet, siç propozon edhe ish-presidenti i FIA-s, Moslei.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë